20 gusht, 2025
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj katër zyrtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), mes tyre edhe gjyqtari francez Nicolas Yann Guillou – i njohur në Kosovë për rolin e tij si gjyqtar paraprak që konfirmoi aktakuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Përveç Guillou, në listën e sanksioneve janë përfshirë edhe gjyqtarja Kimberly Prost dhe dy zëvendësprokurorë të ICC-së, Nazhat Shameem Khan dhe Mame Mandiaye Niang. Vendimi është marrë mbi bazën e Urdhrit Ekzekutiv 14203, i cili lejon vendosjen e masave ndëshkuese ndaj individëve që konsiderohet se angazhohen në “përpjekje të dëmshme” të ICC-së ndaj interesave të SHBA-së dhe Izraelit.
Në njoftimin e Departamentit të Shtetit thuhet se Guillou është sanksionuar për rolin e tij në autorizimin e urdhërarresteve ndërkombëtare kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant. Megjithatë, ai më herët kishte pasur rol kyç edhe në miratimin e aktakuzave kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas administratës amerikane, zyrtarët e ICC-së kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në hetime, ndalime dhe procedura penale kundër individëve të mbrojtur, pa pëlqimin e shteteve të tyre të origjinës – në këtë rast, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Çfarë nënkuptojnë sanksionet?
Me vendimin e sotëm, të gjitha pronat dhe interesat e katër zyrtarëve që ndodhen në SHBA ose në pronësi të personave amerikanë janë ngrirë dhe duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC). Gjithashtu, ndalohet çdo transaksion financiar apo bashkëpunim me ta nga persona ose entitete amerikane.
Ky hap shihet si një përshkallëzim i qëndrimit të Uashingtonit ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, për të cilën administrata amerikane thotë se po e tejkalon mandatin dhe po cenon sovranitetin e vendeve.
📎 Lexo njoftimin e plotë të Departamentit të Shtetit këtu: Imposing Further Sanctions in Response to the ICC’s Ongoing Threat to Americans and Israelis

Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Lansohet Platforma e Identitetit Elektronik, Kurti: Hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit
908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Maqedonci në konferencën e sigurisë në Berlin, në fokus kërcënimi nga Rusia
Kosova mëson kundërshtarët në Ligën e Kombeve, e presin tri përballje interesante