Hapja e festivalit “Mitrovica International Jazz Days” në qendër të Mitrovicës së Veriut u shoqërua me një protestë nga një grup qytetarësh të nacionalitetit serb, të cilët shfaqën pakënaqësi në vendngjarje, ofenduan kryetarin Erden Atiq dhe tentuan të pengonin zhvillimin e aktivitetit.
Incidenti ndodhi të premten pasdite, gjatë përgatitjeve për mbrëmjen e parë të festivalit. Një grup qytetarësh që ndodhej në një kafene afër skenës, me shpinë të kthyer nga ajo, filloi të fishkëllejë dhe të bëjë thirrje fyese sapo kryetari Atiq u paraqit në hapësirën e festivalit.
Ky është edicioni i tretë i festivalit të xhazit, i cili në dy vitet e kaluara është mbajtur ekskluzivisht në pjesën jugore të qytetit, në Parkun e Qytetit. Këtë vit, për herë të parë, organizatorët vendosën që një pjesë e festivalit të mbahet edhe në veri të qytetit, me synim që festivali të ketë karakter më gjithëpërfshirës dhe të afrojë komunitetet përmes kulturës dhe muzikës.
Festivali do të zgjasë nga data 8 deri më 10 gusht: nata e parë zhvillohet në veri, ndërsa dy netët e tjera do të mbahen në Mitrovicën e Jugut, sipas njoftimit të “Radio Mitrovica e Veriut”.
Para fillimit të festivalit, Lista Serbe kishte bërë thirrje që bizneset lokale të mos marrin pjesë në ngjarje, duke e cilësuar festivalin si “përpjekje për imponimin e përmbajtjeve kulturore që nuk pasqyrojnë realitetin dhe vullnetin e komunitetit lokal”. Ata gjithashtu paralajmëruan se do ta informojnë edhe bashkësinë ndërkombëtare për këtë çështje.
“Kjo është përpjekje për presion dhe frikësim, me qëllim mbytjen e jetës kulturore të komunitetit serb në Kosovë,” thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Pavarësisht tensioneve dhe kundërshtimeve nga disa qytetarë, koncerti i parë u mbajt siç ishte planifikuar, ndërsa organizatorët nuk paralajmëruan ndryshime në program. Në vendin e ngjarjes ishte e pranishme edhe policia për të garantuar sigurinë.
Festivali “Mitrovica International Jazz Days” konsiderohet si një nga nismat e rralla kulturore që synon të lidhë dy komunitetet e një qyteti të ndarë përmes artit, dhe deri më tani ka mbledhur muzikantë nga vende të ndryshme, përfshirë edhe bende vendore nga veriu dhe jugu i Mitrovicës.

Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Lansohet Platforma e Identitetit Elektronik, Kurti: Hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit
908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Maqedonci në konferencën e sigurisë në Berlin, në fokus kërcënimi nga Rusia
Kosova mëson kundërshtarët në Ligën e Kombeve, e presin tri përballje interesante