Prishtinë, 16 nëntor 2026 12:27
Qeveria e Kosovës ka miratuar ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë e regjistruara në Serbi, si kundërmasë ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare të energjisë nga ana e Serbisë.
Vendimi është bërë i ditur nga kryeministri i Kosovës në mandat teknik, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të hënën.
Kurti ka deklaruar se kjo masë vjen pas gjashtë vjetësh të bllokimit të linjave ndërkufitare për tregtim të energjisë nga Serbia, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për zgjidhjen e çështjes.
“Së pari do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen nëse nuk ka reflektim”, ka deklaruar Kurti.
Ndalimi përfshin blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike me ndërmarrjet e regjistruara në Serbi ose me pronarë që kanë shtetësi serbe. Masa vlen edhe për tregtimin përmes transitit apo rishitjes në një ose më shumë shtete të treta.
Sipas Kurtit, bllokimi i dy linjave të interkoneksionit nga Serbia ka shkaktuar dëme financiare për Kosovën dhe ka rrezikuar furnizimin me energji elektrike. Ai ka theksuar se mbingarkesa në linjat me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut ka ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë në raste të caktuara.
Për të përballuar pasojat e këtij vendimi, Qeveria do ta obligojë Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) që të sigurojë një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor. Gjithashtu, parashihen masa emergjente në sektorin e energjisë, përfshirë obligimin e ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” për ta shitur energjinë e shërbimit publik.
Kurti ka rikujtuar se në dhjetor të vitit të kaluar Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë kishte konstatuar shkeljen e Traktatit nga Serbia dhe i kishte kërkuar asaj lirimin e linjave deri më 1 korrik 2026.
Megjithatë, sipas tij, Serbia nuk e ka zbatuar këtë obligim, ndërsa përpjekjet e Kosovës përmes Bashkimit Evropian nuk kanë sjellë rezultate.
Në këtë fazë, përjashtim nga ndalimi bën vetëm furnizuesi i energjisë i themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energjinë.

Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Kosova angazhon kompani amerikane për lobim në Uashington
Specialja në rend dite, deputetët sot përballen me votimin e ligjit
Kamberi e Memeti të kujdesshëm ndaj pushtetit të ri: Shqiptarët presin rezultate, jo premtime
Terras kritikon BE-në për këngën nacionaliste serbe në Bruksel: Provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër
Kuçi: BE nuk mundet që në të njëjtën kohë të kërkojë respektim të respektim të integritetit territorial dhe të tolerojë narrativa serbe
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Aksident në komunikacion, vdes një person
Miratohet në parim Projektbuxheti për vitin 2027