Prishtinë, 17 nëntor 2026 07:38
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin sot, në orën 10:00, aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë në rastin që lidhet me pretendimet për pengim të administrimit të drejtësisë dhe ndikim te dëshmitarët.
Përveç Thaçit, në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar edhe ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe Fadil Fazliu.
Gjykatësi Christopher Gosnell ka caktuar që vendimi të shpallet sot, ndërsa është urdhëruar paraqitja e të pesë të akuzuarve.
Në qendër të këtij procesi janë bisedat e regjistruara gjatë vizitave që Thaçi kishte pranuar në qendrën e paraburgimit në Hagë gjatë vitit 2023.
Prokuroria pretendon se Thaçi u kishte përcjellë të akuzuarve informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre në procesin gjyqësor për krime lufte.
Prokuroria është mbështetur në incizimet dhe dokumentet e mbledhura gjatë hetimeve, ndërsa në fjalën përmbyllëse ka përmendur rreth 28 orë biseda të regjistruara gjatë nëntë vizitave.
Në anën tjetër, mbrojtja e Thaçit i ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke vënë në pikëpyetje interpretimin dhe besueshmërinë e transkripteve të bisedave. Sipas saj, nuk janë paraqitur prova të mjaftueshme për të dëshmuar kontakte të papërshtatshme me dëshmitarët.
Prokuroria ka kërkuar që Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim, ndërsa ka kërkuar që koha e kaluar në paraburgim të mos i llogaritet në dënimin e mundshëm.
Ky proces është i ndarë nga gjykimi kryesor për krime lufte ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 16 shtator 2026, Thaçi u dënua me 25 vjet burgim në atë rast.
Aktgjykimi i sotëm pritet të përcaktojë përgjegjësinë penale të pesë të akuzuarve për pretendimet që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Miratohet në parim Projektbuxheti për vitin 2027
4.27 miliardë euro buxhet për 2027, paga e 13-të dhe 908 milionë euro për komunat
Kosova synon të zëvendësojë 1 miliard euro importe me prodhim vendor brenda katër vjetësh
Aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, dyshohet se mashtroi me prona në vlerë prej 320 mijë eurosh
Kosova renditet para shumë shteteve evropiane në indeksin e Gallup-it
Digjitalizohet procedura për pajisje me lejeqëndrim në Kosovë
Vite të tëra pa zgjidhje për qentë endacakë, specialisti i kimisë toksikologjike me kritika për institucionet lokale
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Aksident në komunikacion, vdes një person