Prishtinë, 19 nëntor 2026 13:34
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria synon që brenda katër vjetësh të zëvendësojë 1 miliard euro importe me produkte të prodhuara në Kosovë, përmes Agjendës Një Miliard Euro, e cila parasheh mbështetje financiare dhe lehtësira për bizneset vendore.
Gjatë konferencës “The Future of Business: From Opportunity to Investment”, të organizuar nga Data4X në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Kurti ka thënë se Kosova vazhdon të importojë produkte që ka kapacitete t’i prodhojë vetë.
Sipas tij, gjatë vitit 2025, Kosova ka importuar mallra në vlerë mbi 7 miliardë euro, ndërsa eksportet kanë qenë afër 1 miliard euro. Rreth 4 miliardë euro të importeve, sipas tij, përbëhen nga produkte që mund të prodhohen brenda vendit.
Kurti ka theksuar se synimi është identifikimi i produkteve që aktualisht importohen, por që mund të prodhohen në Kosovë.
“Agjenda Një Miliard Euro ka logjikë të thjeshtë. E identifikojmë atë që e importojmë e që mund ta prodhojmë këtu, dhe pastaj e prodhojmë. Nuk është proteksionizëm një gjë e tillë. Tregjet tona vazhdojnë të mbeten të hapura dhe kompanitë tona do të konkurrojnë me kompanitë që vijnë tek ne”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se një nga mekanizmat për realizimin e këtij objektivi do të jenë garancitë shtetërore për kredi investive, me qëllim të zgjerimit të kapaciteteve prodhuese dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Kreu i Qeverisë ka prezantuar edhe disa tregues ekonomikë për vitin 2026. Sipas të dhënave që ka paraqitur, qarkullimi i bizneseve gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti ka arritur në 18.6 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 10 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ndërkaq, në shtator janë regjistruar 426 mijë vende pune, ose 12 mijë e 200 më shumë se një vit më parë. Eksporti i mallrave gjatë dhjetë muajve të parë të vitit ka arritur në 960 milionë euro, me rritje prej 24 për qind.
Kurti ka njoftuar gjithashtu se nga takimet me përfaqësuesit e bizneseve është hartuar një plan veprimi me dhjetë kërkesa konkrete, për të cilat janë përcaktuar institucionet përgjegjëse dhe afatet e realizimit.
Ndër masat e paralajmëruara është hyrja në fuqi deri në fund të vitit e ligjit për vonesat në pagesa, i cili parasheh kamatë për pagesat që vonohen më shumë se 30 ditë.
Po ashtu, është paralajmëruar ridizajnimi i skemës së granteve, duke kombinuar mbështetjen financiare me kredi dhe garanci, si dhe lehtësimi i procedurave për lejet ujore dhe certifikatat e eksportit.
Sipas Kurtit, rezultatet e këtyre masave do të vlerësohen në pranverën e vitit 2027, përmes analizimit të të dhënave doganore dhe tatimore.

Miratohet në parim Projektbuxheti për vitin 2027
4.27 miliardë euro buxhet për 2027, paga e 13-të dhe 908 milionë euro për komunat
Aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, dyshohet se mashtroi me prona në vlerë prej 320 mijë eurosh
Kosova renditet para shumë shteteve evropiane në indeksin e Gallup-it
Digjitalizohet procedura për pajisje me lejeqëndrim në Kosovë
Pranohet dështimi në rastin e Arlinda Zekajt, mungonte dokumenti obligativ
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Aksident në komunikacion, vdes një person