Preshevë, 14 tetor 2026 07:03
Kandidati i Koalicionit Shqiptar për zgjedhjet parlamentare në Serbi, Shaip Kamberi, ka ngritur kritika ndaj mënyrës se si Serbia financon strukturat dhe komunitetin serb në Kosovë, duke e krahasuar këtë me pengesat që, sipas tij, u vendosen mjeteve të dedikuara për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Kamberi ka rikthyer në vëmendje një deklaratë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të bërë më 13 shtator 2022 në Kuvendin e Serbisë, kur ai kishte deklaruar se Serbia ndan çdo vit rreth 700 deri në 820 milionë euro për Kosovën.
Sipas Kamberit, në atë kohë nuk ishte bërë e qartë se kujt i paguhen këto mjete, ku përfundojnë ato dhe kush e kontrollon shpenzimin e tyre.
“U pranua se shuma e saktë nuk dihej dhe se jo të gjitha mjetet kalonin përmes të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovën’. Pra, nuk u sqarua kurrë se kush i merr këto para, ku përfundojnë dhe kush kontrollon shpenzimin e tyre”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka ngritur pikëpyetje edhe mbi destinimin e qindra milionë eurove, duke iu referuar vlerësimeve se rreth 100 deri në 180 milionë euro mund të menaxhohen përmes Zyrës për Kosovën, ndërsa rreth 100 milionë të tjera përmes ministrive të ndryshme.
“Ku përfundojnë qindra milionët e mbetur? Kush i përfiton dhe kujt i jep llogari?”, ka pyetur Kamberi.
Në anën tjetër, ai ka akuzuar pushtetin serb se po pengon fondet që Kosova ka ndarë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Sipas tij, bëhet fjalë për 129 projekte dhe katër programe që lidhen me furnizimin me libra falas, praktikën profesionale, funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe aktivitetet e avokimit.
Kamberi ka thënë se dallimi mes dy qasjeve është i qartë: ndërsa për financimin e serbëve në Kosovë kërkohet besim pa transparencë të plotë publike, për shqiptarët në Luginë, sipas tij, pengohen edhe fondet për projekte konkrete dhe të identifikueshme.
“Për serbët në Kosovë kërkohet financim pa transparencë të mjaftueshme publike; për shqiptarët në Luginë pengohet edhe financimi i projekteve të identifikueshme”, ka shkruar ai.
Në fund, Kamberi ka kërkuar publikimin e llogarive për fondet që Serbia ndan për Kosovën dhe zhbllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Llogaritë të bëhen publike. Mjetet të zhbllokohen. Barazia të zbatohet”, ka përfunduar Kamberi.
Deklarata është publikuar në emër të Koalicionit Shqiptar, i cili garon në zgjedhjet parlamentare të Serbisë me numrin 17.

Kosova propozon marrëveshje me SHBA-në për të ardhmen e Bondsteelit
Dokumentacioni kadastral mbetet i pakthyer, Kurti: Serbia nuk e respektoi marrëveshjen
Konjufca: Sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc treguan kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës
Kuçi: Fushata elektorale në Serbi po normalizon ambientin politik armiqësor ndaj Kosovës
BE-ja miraton sanksione të reja ndaj Rusisë
Kurti: Partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet prioritet i Kosovës
Serbia nën kritika për financimin e Kosovës dhe pengimin e projekteve shqiptare në Luginë
Protesta në Tiranë përshkallëzohet në përplasje me policinë, 21 persona marrin ndihmë mjekësore
Operacion i Policisë në Fushë Kosovë pas kërcënimit me mjete shpërthyese