Prishtinë, 9 tetor 2026 09:02
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, me fokus forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në bujqësi, tregti dhe siguri ushqimore.
Gjatë vizitës, Muja është takuar me homologun e tij, ministrin Borçe Serafimovski, zëvendësministrin Albrim Hoxha dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore. Në takime morën pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, si dhe drejtoresha e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Venera Çerkini.
Në qendër të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit bilateral, rritja e shkëmbimeve tregtare dhe lehtësimi i qarkullimit të produkteve bujqësore e ushqimore. Palët trajtuan gjithashtu mundësitë për forcimin e bashkërendimit institucional, me qëllim krijimin e kushteve më të favorshme për fermerët dhe bizneset e të dyja vendeve.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua bashkëpunimit në fushën e sigurisë ushqimore, përmes shkëmbimit të informacionit, harmonizimit të procedurave të kontrollit dhe certifikimit, si dhe përmirësimit të komunikimit ndërmjet autoriteteve kompetente. Bashkëpunimi në kontrollet kufitare, gjurmueshmërinë e produkteve dhe menaxhimin e rreziqeve synon të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe në lehtësimin e tregtisë së ndërsjellë.
Gjatë takimeve u diskutua edhe për shkëmbimin e përvojave në mbështetjen e fermerëve, zhvillimin rural dhe modernizimin e prodhimit bujqësor. Përafrimi i politikave sektoriale me standardet dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian u vlerësua si një fushë me rëndësi për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në të dyja vendet.
Ministri Muja theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me synimin që marrëdhëniet institucionale të përkthehen në më shumë mundësi për prodhuesit, fermerët dhe bizneset, si dhe në rritjen e shkëmbimeve tregtare.
Vizita synon të forcojë partneritetin ndërmjet dy vendeve fqinje, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim më të ngushtë institucional, rritje të konkurrueshmërisë së prodhuesve dhe avancim të standardeve evropiane në sektorin e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore.

Në Leposaviq gjenden armë e pajisje ushtarake
Gjykimi për krime lufte, dëshmitarja rrëfen keqtrajtimin gjatë luftës
Kuçi: Aktorët e jashtëm mund të shfrytëzojnë tensionet për ta destabilizuar Kosovën
Gjykimi për krime lufte në Gjilan, dëshmitari: “Me gjakun tim më vizatuan simbolet serbe në trup”
25 vjet pas policisë multietnike, shqiptarët në Luginën e Preshevës ende përballen me mungesë të përfaqësimit të barabartë në Serbi
Lokalizohet zjarri në Trepçë, 63 minatorë nisin të dalin nga miniera
Policia e Kosovës: Fushatat zgjedhore të Serbisë nuk lejohen në Kosovë
Kosova dhe Maqedonia e Veriut synojnë thellimin e bashkëpunimit në bujqësi dhe siguri ushqimore
Izraeli dhe Turqia përplasen gjithnjë e më shumë, Siria kthehet në pikën më të nxehtë
Zgjedhjet në Serbi, Janjiq: Ndikimi rus është jashtëzakonisht i madh