Prishtinë, 6 tetor 2026 19:55
Është kthyer në rigjykim rasti ndaj Sllagjan Trajkvoqit, i dënuar nga Themelorja për krime lufte, në komunën e Vushtrrisë. Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë, ku Trajkoviq u dënua me 10 vjet burgim, nuk pasqyron në mënyrë të qartë dhe të mjaftueshme lidhjen ndërmjet provave të administruara, fakteve të konstatuara si të provuara dhe përfundimeve të nxjerra nga gjykata, për çështjet vendimtare të kësaj çështjeje penale.
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim vendimin e Themelores në Prishtinë, me të cilin Sllagjan Trajkoviq është dënuar me 10 vjet burgim për krime lufte të kryera në Reznik dhe në fshatra të tjera të Komunës së Vushtrrisë gjatë periudhës së luftës 1998-1999.
Sipas aktgjykimit të Themelores, Trajkoviq në periudhën 1998-1999, individualisht dhe në bashkëkryerje ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim e depërtim të mijërave civilëve shqiptarë.
Mirëpo, shkalla e dytë ka konstatuar se aktgjykimi i Themelores, nuk pasqyron në mënyrë të qartë dhe të mjaftueshme lidhjen ndërmjet provave të administruara, fakteve të konstatuara si të provuara dhe përfundimeve të nxjerra nga gjykata, për çështjet vendimtare të kësaj çështjeje penale.
“Ekziston mospërputhje thelbësore ndërmjet bazës faktike të përshkruar në dispozitiv dhe fakteve që gjykata i ka konsideruar të provuara në arsyetimin e aktgjykimit. Përkatësisht, ndërsa në dispozitiv është përfshirë një përshkrim faktik që shtrihet në periudhën kohore nga viti 1998 deri në vitin 1999 dhe përfshin, ndër të tjera fshatin R. dhe fshatrat përreth rajonit të V., nga arsyetimi i aktgjykimit nuk rezulton se këto rrethana janë konsideruar të provuara si bazë e përgjegjësisë penale të të pandehurit. Në rastin konkret, nuk është e qartë nëse gjykata e shkallës së parë e ka bazuar fajësinë vetëm në ngjarjen e datës 22.05.1999 në varrezat e qytetit në V., apo nëse ka konsideruar të provuara edhe veprime të tjera të përfshira në përshkrimin e përgjithshëm të dispozitivit”, thuhet në vendimin e Apelit.
Apeli po ashtu ka konstatuar mospërputhje edhe lidhur me të dëmtuarin B.H..
“Janë përshkruar në mënyrë të individualizuar veprimet e të pandehurit Trajkoviq ndaj të dëmtuarit Sh.B., ndërsa në këtë pjesë të dispozitivit nuk është përshkruar ndonjë veprim konkret i të pandehurit, ndaj të dëmtuarit B.H.. Megjithatë, në arsyetimin e aktgjykimit gjykata e shkallës së parë ka konstatuar se i pandehuri ka ushtruar dhunë ndaj të dëmtuarve B.H. dhe Sh.B. dhe këtë konstatim e ka përdorur si bazë për përfundimin se në veprimet e të pandehurit janë manifestuar elementet e veprës penale për të cilën ai është shpallur edhe fajtor”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sllagjan Trajkoviq, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës ngarkohet se ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestim, torturë, trajtim mizor e çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe depërtim të mijëra civilëve shqiptarë.
Sipas aktakuzës, në mesditën e 6 prillit të vitit 1999, forcat ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe Trajkoviqi, kanë marrë urdhra duke rrethuar fshatin Reznik të Vushtrrisë, e pastaj kanë filluar ofensivën duke sulmuar fshatin, duke djegur shtëpi dhe duke vrarë civilë shqiptarë.

Arrestohet një person në Skenderaj për krime lufte kundër popullatës civile
KRUM u jep afat konsumatorëve për deklarimin e kyçjeve të paautorizuara, paralajmëron masa ligjore
Krimet e luftës, Kosova forcon qasjen institucionale në veri
Protesta në Prishtinë: Gjashtë policë të lënduar, 11 protestues kërkuan ndihmë mjekësore
Situata para Kuvendit, hidhen fishekzjarre dhe gaz lotsjellës
Jelena Gjukanoviqit i vërtetohet dënimi me gjashtë vjet burg për spiunazh
29 kadetë të FSK-së nisin rrugëtimin ushtarak në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë
FC Malisheva mbetët pa kryekrytrajner, largohet kroati Brdariq
Kurti: Procesi i Berlinit të rikonfigurohet, Kosova kërkon prova, jo premtime