Prishtinë, 5 tetor 2026 18:52
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin prej gjashtë vjetësh burgim ndaj Jelenës Gjukanoviq, ish-punonjëse e Misionit të OSBE-së në Kosovë, e cila ishte shpallur fajtore për veprën penale të spiunazhit.
Sipas vendimit, koha e kaluar në paraburgim, nga 28 shkurti 2025, do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar. Paraburgimi i saj është vazhduar deri në marrjen e vendimit përfundimtar, por jo përtej kohëzgjatjes së dënimit të shqiptuar me burgim.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfshirë nga shkelje të rëndësishme të dispozitave të procedurës penale, apo nga shkelje të tjera që do të mund të çonin në anulimin e tij.
“Gjykata konstaton se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, të cilat gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar si fakte vendimtare në këtë çështje penale dhe të cilat mbrojtja e të akuzuarës i ka kundërshtuar përmes ankesës, janë të sakta dhe të ligjshme”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sipas Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, mbi bazën e së cilës Gjukanoviq është shpallur fajtore dhe është dënuar.
Sa i përket pretendimeve për shkelje të ligjit penal, Gjykata e Apelit ka konstatuar se nuk ka pasur shkelje të tilla.
Në vendim thuhet gjithashtu se në veprimet e të akuzuarës janë përmbushur “elementet objektive dhe subjektive të veprës penale” për të cilën është shpallur fajtore, ndërsa nuk janë evidentuar rrethana që do ta përjashtonin atë nga përgjegjësia apo ndjekja penale.
Arrestimi dhe akuzat për spiunazh
Jelena Gjukanoviq, punonjëse e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ishte arrestuar më 28 shkurt 2025 në Mitrovicën e Veriut, pas një hetimi disamujor, nën dyshimet për spiunazh. Pas arrestimit, asaj i ishte caktuar masa e paraburgimit.
Prokuroria Speciale e kishte akuzuar Gjukanoviqin se kishte përcjellë të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme te Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Serbisë (BIA), përmes komunikimit me Aleksandar Vlajiqin, i cili po ashtu ishte dënuar për spiunazh.
Sipas aktakuzës, komunikimi kishte ndodhur gjatë kohës kur Gjukanoviq dhe Vlajiq punonin në Zyrën Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë.
Gjukanoviq ishte deklaruar e pafajshme në fillim të procedurës.
Më 27 prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtore për spiunazh dhe e kishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Situata para Kuvendit, hidhen fishekzjarre dhe gaz lotsjellës
Kuvendi ratifikon kredinë 60 milionë euro për “Prishtina 2030”
27 nëntori, afati i Apelit, juristët skeptikë për ndryshimet ligjore
KPK-ja largon Blerim Isufajn nga pozita e Kryeprokurorit
Nis eksporti i parë drejt Zvicrës pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Kosovë–EFTA
Kosovë–Kroaci, marrëveshje bashkëpunimi për dokumentet e luftës
Jelena Gjukanoviqit i vërtetohet dënimi me gjashtë vjet burg për spiunazh
Miratohet në parim Projektligji për ndarjet buxhetore