Prishtinë, 4 tetor 2026 08:54
Derisa 27 nëntori po afrohet, afati i caktuar nga Trupi Gjykues i Apelit për dorëzimin e njoftimeve për apelimin e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Partia Demokratike e Kosovës thotë se po ndërmerr çdo hap që mundet në mbështetje të tyre.
Afati për njoftimin e apelit u shty pas kërkesës së mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Si arsye u përmendën kompleksiteti i çështjes dhe koha e nevojshme për përkthimin e aktgjykimit në gjuhën shqipe.
Një nga angazhimet e PDK-së është nisma për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, e cila aktualisht po pret mendimin e Ministrisë së Drejtësisë për t’u proceduar më tej në Kuvend.
Juristët thonë se ndryshimi i ligjit është i mundur nga aspekti juridik, por shprehen skeptikë nëse ai mund të ketë efekt në kohën e mbetur.
“Absolutisht jam skeptike se kjo mund të realizohet, sepse ne mund t’i bëjmë qejf vetit, por duhet ta njohim legjislaturën se si funksionon. Tjetra është faktori kohë. Gjykata e Apelit mund ta bëjë të formës së prerë, mund ta rikthejë në rigjykim. Atëherë, në këtë rast, do të mund të fitojnë në kohë. Por nëse vendoset çka do që të jetë, është një kohë shumë e shkurtë që paraqet rrezik, prandaj duhet të përforcohet strategjia e mbrojtjes”, ka thënë Fehmije Gashi Bytyqi, avokate.
Ndërkohë, politologu Mazllum Baraliu thotë se institucionet e Kosovës duhet të ndjekin nga afër procesin në Dhomat e Specializuara dhe të angazhohen diplomatikisht.
“Këtë s’mund ta ndal askush, sepse ajo është formalisht gjykatë e Kosovës, ndërsa në fakt është një surrogate e pashembullt në botë, po flas për Gjykatën Speciale. Duhet ta monitorojë vazhdimisht në mënyrë aktive edhe një trup tjetër, i përbërë nga Qeveria, Parlamenti dhe MPJ-ja, si një trup suigeneris, i cili do të lobonte në vazhdimësi deri në një vendim të shkallës së dytë dhe deri atëherë t’ia shpjegonte botës se me këtë vendim nuk mund të cënohen dhe nuk do të cënohen themelet e shtetit të Kosovës”, thotë Mazllum Baraliu, politolog.
Deputetët e PDK-së kanë paralajmëruar bojkotimin e të gjitha komisioneve parlamentare, deri në procedimin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend.

KPK-ja largon Blerim Isufajn nga pozita e Kryeprokurorit
Nis eksporti i parë drejt Zvicrës pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Kosovë–EFTA
Kosovë–Kroaci, marrëveshje bashkëpunimi për dokumentet e luftës
Objekti i Qeverisë së Kosovës ndriçohet me flamurin e UÇK-së
Dëshmitari thotë se mori kërcënime nga Sheholli
1 tetori i protestave: Dikur rezistencë, sot thirrje për liri
Koalicioni Shqiptar nis mbledhjen e nënshkrimeve për zgjedhjet në Serbi
Kosova përballë Austrisë për të mbajtur gjallë ëndrrën për Ligën A
Alarm për sulme nga ajri edhe në Moldavi e Lituani