Prishtinë,1 tetor 2026 18:17
Prishtinë, 1 tetor 2026 – Në Prishtinë është zhvilluar të enjten protesta e thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, në kundërshtim me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta është mbajtur në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve. Ajo vjen pas një serie protestash që kanë nisur pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Sipas vendimit të Dhomave të Specializuara, Thaçi dhe Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Njëri prej organizatorëve, Çlirim Haziri, kishte deklaruar se priste që në protestë të merrnin pjesë edhe liderët politikë e partiakë, si dhe përfaqësues të institucioneve, pa dallim politik.
Haziri ka kërkuar gjithashtu ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se organizatorët nuk do të ndalen së kërkuari trajtimin e kësaj çështjeje.
Në protestë kanë folur edhe përfaqësues të OVL-UÇK-së, studentë dhe familjarë të dëshmorëve. Ata kanë përcjellë mesazhe kundër aktgjykimit dhe kanë kërkuar që rasti të shqyrtohet në shkallët e tjera gjyqësore.
Për shkak të protestës, Policia e Kosovës ka njoftuar për mbylljen e përkohshme të rrugëve “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymeri”, ndërsa ka paralajmëruar se mund të ketë kufizime të tjera të qarkullimit në varësi të zhvillimit të protestës.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se transporti publik do të jetë falas nga ora 14:00 deri në 20:00, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe pjesëmarrjes në marsh.
Protesta e 1 tetorit është lidhur nga organizatorët edhe me simbolikën e protestave studentore të vitit 1997, kur studentët e Universitetit të Prishtinës protestuan për të drejtën për arsimim dhe liri.
Protesta të ngjashme kundër vendimit të Speciales janë zhvilluar gjatë ditëve të fundit edhe jashtë Kosovës, përfshirë në Shkup, SHBA, Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri. Një tjetër protestë është paralajmëruar në Bruksel më 10 tetor.
Në përfundim të protestës në Prishtinë pati edhe tensione, pasi disa protestues tentuan të hynin në oborrin e Qeverisë, por u ndaluan nga Policia. Organizatorët më pas deklaruan se do të dorëzonin në Qeveri uniformën e UÇK-së dhe dokumentacionin lidhur me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Nis seanca ndaj Fatmir Shehollit, deklarohet i pafajshëm sërish
Hashim Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin kundër administrimit të drejtësisë
Kurti: Askush nuk duhet të përballet e vetme me kancerin e gjirit
Sot protestohet kundër aktgjykimit të Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Nga nesër hyn në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA-n
Qeveria rialokon 102 milionë euro për pagën e 13-të dhe shtesën 0.5 për përvojë pune
Alarm në Prishtinë, dyshohet për mjet shpërthyes me telekomandë
1 tetori i protestave: Dikur rezistencë, sot thirrje për liri
Kurti: Kërkova nga Von der Leyen anëtarësimin e Kosovës në organizata evropiane