Prishtinë, 24 shtator 2026 08:15
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e vrasjes së tij në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.
“Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit ra në krye të detyrës për sundim të ligjit, në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Republikës sonë, rreshteri i Policisë, tash hero i Kosovës, Afrim Bunjaku”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Duke folur për sulmin, Kurti ka deklaruar se grupi që e ka cilësuar si terrorist dhe paraushtarak ishte “i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi”, ndërsa ka thënë se në krye të tij ishte Milan Radoiçiq.
“Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe kryekrimineli Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Kurti ka vlerësuar se sulmi ishte parandaluar falë veprimeve të institucioneve të Kosovës.
“Kjo falë vendosmërisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve tanë në rendit e të inteligjencës, politikë e publikë, në mbrojtje të Republikës, të paqes, të drejtave dhe sigurisë për të gjithë”, ka shkruar ai.
Kryeministri ka përmendur edhe ndjekjen penale të personave të përfshirë në sulm, duke thënë se Kosova nuk do të heqë dorë nga kërkimi i tyre.
“Shteti ynë asnjëherë nuk do të heqë dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar”, ka thënë Kurti.
Në fund, ai ka përkujtuar Bunjakun me një mesazh: “Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit, heroit Afrim Bunjakut!”
Ndryshe, sot janë bërë tri vjet që prej kur ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë, në të cilin u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. E edhe pse kanë kaluar tri vjet dhe përgjegjësinë e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ai dhe dhjetëra të akuzuar janë ende të lirë në Serbi

Shqiptarët e Luginës votojnë për Këshillin Kombëtar, katër lista garojnë për 29 ulëse
Nisin punimet për fabrikën e municionit në Gjakovë
BQK-ja dorëzon aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në SEPA, synohen pagesa më të lira dhe më të shpejta
Pas 15 muajsh në burgun e Serbisë, lirohet Behar Preniqi nga Obiliqi
Kosova dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshje për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale
Në Prilluzhë qytetari hedh në shitje shtëpinë për shkak të korrupsionit të Listës Serbe
Ndryshimet në Beograd mund të godasin rrjetin e Listës Serbe dhe strukturat paralele në Kosovë
Eisenkot merr mandatin për formimin e qeverisë në Izrael, Netanyahu rrezikon humbjen e pushtetit