Prishtinë, 6 nëntor 2026 13:30
Kosova ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Botërore për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale, me synim fuqizimin e prodhimit vendor, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Marrëveshja është nënshkruar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Banka Botërore, ndërsa projekti parasheh zhvillimin e zonave industriale në të gjitha rajonet e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zhvillimi i këtyre parqeve është një nga mekanizmat për të adresuar deficitin e lartë tregtar të vendit.
Ai ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 Kosova importoi mallra në vlerë prej rreth shtatë miliardë eurosh, ndërsa eksportet arritën vetëm në rreth një miliard euro.
Sipas Kurtit, synimi është që një pjesë e produkteve që aktualisht importohen të prodhohen brenda vendit, duke krijuar kushte më të favorshme për bizneset vendore dhe investitorët e huaj.
Ai ka theksuar se projekti do të përfshijë të gjitha rajonet e Kosovës, pa përjashtim, përfshirë edhe dy Eko-Parqe Industriale në pjesën veriore të vendit.
“Pas vendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Ibrit, po e zhvendosim gradualisht vëmendjen drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve që jetojnë atje”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka vlerësuar se marrëveshja paraqet një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të standardeve ndërkombëtare për eko-zonat industriale.
Ajo ka theksuar se industria e së ardhmes nuk duhet të matet vetëm me sasinë e prodhimit, por edhe me efikasitetin e shfrytëzimit të burimeve dhe ndikimin në mjedis e shoqëri.
Sipas saj, raporti i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) identifikon prodhimin e komponentëve të ndërtimit si sektor me potencial të veçantë për ekonominë e Kosovës. Në këtë fushë përfshihen përpunimi i metaleve, prodhimi i dyerve dhe dritareve, mobilieve, materialeve izoluese dhe sistemeve të ngrohjes.
Mbështetje për këtë projekt ka shprehur edhe Bashkimi Evropian. Shefi i Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Hubert Perr, ka vlerësuar se parqet industriale mund të kontribuojnë në ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe konkurruese.
Ndërsa menaxherja e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand, ka thënë se përmes këtij projekti synohet të tejkalohen barrierat me të cilat përballen bizneset, veçanërisht në menaxhimin e energjisë, ujit dhe mbeturinave.
Ajo ka theksuar se eko-parqet do të ndihmojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendore në tregjet ndërkombëtare, përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian dhe fuqizimin e identitetit tregtar “Made in Kosovo”.

Në Prilluzhë qytetari hedh në shitje shtëpinë për shkak të korrupsionit të Listës Serbe
Lidhjet e “Alta Bank” me Milan Radoiçiçin dhe Zvonko Veselinoviqin
Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
22 persona arrestohen në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash
Historianët kundërshtojnë narrativën serbe për vitin 1690: Kosova nuk u popullua nga shqiptarët e ardhur nga veriu i Shqipërisë
Pritja që zgjati 27 vjet: Dr. Adem Ademi identifikohet në Hagë
Kosova dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshje për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale
Forcohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në operacionet e kërkim-shpëtimit