Prishtinë, 7 nëntor 2026 09:55
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për përfshirjen e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), një hap i rëndësishëm drejt integrimit të sistemit financiar të vendit me atë evropian.
Sipas BQK-së, aplikimi është rezultat i reformave ligjore, rregullative dhe institucionale të realizuara në kuadër të Planit Strategjik 2024–2028, ku përgatitja për anëtarësim në SEPA ishte përcaktuar si një nga objektivat kryesore.
Anëtarësimi në këtë mekanizëm pritet t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë të kryejnë pagesa ndërkufitare në euro më shpejt, me kosto më të ulët dhe me kushte më të favorshme.
Gjatë procesit të përgatitjes, BQK-ja ka avancuar reformat në legjislacionin për shërbimet e pagesave, sektorin bankar, si dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Po ashtu, janë miratuar aktet e nevojshme rregullative dhe është zhvilluar bashkëpunim me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bankën Botërore dhe Komisionin Evropian.
Megjithatë, dorëzimi i aplikimit nuk nënkupton anëtarësim automatik të Kosovës në SEPA. Aplikimi tashmë do t’i nënshtrohet shqyrtimit dhe vlerësimit nga organet përkatëse evropiane, të cilat do të verifikojnë përputhshmërinë e legjislacionit dhe rregulloreve të Kosovës me kërkesat e këtij mekanizmi.
Në rast të një vendimi pozitiv, do të pasojnë procedurat për përfshirjen e institucioneve financiare të Kosovës në skemat përkatëse të pagesave.

Pas 15 muajsh në burgun e Serbisë, lirohet Behar Preniqi nga Obiliqi
Kosova dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshje për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale
Në Prilluzhë qytetari hedh në shitje shtëpinë për shkak të korrupsionit të Listës Serbe
Lidhjet e “Alta Bank” me Milan Radoiçiçin dhe Zvonko Veselinoviqin
Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
22 persona arrestohen në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash
BQK-ja dorëzon aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në SEPA, synohen pagesa më të lira dhe më të shpejta
Kurti: 20 baza policore janë ndërtuar e fuqizuar në veri të Kosovës
Të paktën 20 të vrarë dhe 15 të plagosur nga sulmet në një treg në Jemen
397 kadetë diplomojnë në Policinë e Kosovës, Kurti e Haxhiu me mesazhe për gjeneratën e re