Gjakovë, 7 nëntor 2026 20:44
Në Jahoc të Gjakovës kanë nisur punimet për ndërtimin e fabrikës së parë të municionit në Kosovë, projekt ky që po realizohet në bashkëpunim me kompaninë shtetërore turke MKE. Megjithatë, ekspertët e sigurisë shprehin dyshime nëse prodhimi i parë testues do të mund të nisë deri në fund të këtij viti, ashtu siç është paralajmëruar nga Ministria e Mbrojtjes.
Në lokacionin ku pritet të ndërtohet kompleksi industrial tashmë janë angazhuar punëtorë dhe makineri të rënda për përgatitjen e terrenit. Projekti, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, po zhvillohet sipas dinamikës së paraparë dhe marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë turke MKE.
Shefja e kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Liridona Gashi, ka konfirmuar se synimi është që deri në fund të vitit të nisë prodhimi i parë testues i municioneve me mbishkrimin “Made in Kosova”.
Ajo ka bërë të ditur se projekti nuk përfshin vetëm ndërtimin e fabrikës, por edhe krijimin e një kompleksi industrial që do të ketë laboratorë për testim dhe kalibrim, depo, infrastrukturë mbështetëse dhe objekte të tjera të nevojshme për funksionimin e tij.
Megjithatë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj, vlerëson se realizimi i këtij objektivi brenda një periudhe kaq të shkurtër është i vështirë.
“ Nuk e besoj që mund të arrihet për kaq kohë të shkurtër që të fillohet me prodhimin e municioneve. Është e pamundur. Ne nuk kemi një ligj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për municionet ushtarake”, ka deklaruar Gecaj.
Ndërkaq, eksperti tjetër i sigurisë, Arben Dashevci, vonesat e mundshme i ndërlidh me procedurat administrative dhe ligjore që duhet të përmbyllen ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
“Këto vonesa definitivisht i shoh si aspekte procedurale ose administrative ndërmjet dy shteteve, sepse është partneritet i Republikës së Turqisë, në këtë rast i një fabrike shumë serioze për prodhimin e municioneve, dhe Kosovës”, ka thënë Dashevci.
Në kuadër të përgatitjeve për funksionalizimin e fabrikës, Ministria e Mbrojtjes kishte nisur më herët edhe procedurat për rekrutimin e personelit. Konkursi përfshinte pozita të ndryshme dhe profile të specializuara profesionale, të nevojshme për funksionimin e kompleksit.
Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë shtetërore turke MKE për themelimin e fabrikës së municionit ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2024. Me këtë projekt, Kosova synon të krijojë kapacitete vendore për prodhimin e municioneve dhe të zhvillojë industrinë e saj të mbrojtjes.
Dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, nisja e punimeve në Jahoc shënon një fazë të re të projektit, ndërsa mbetet të shihet nëse afati i paralajmëruar për prodhimin e parë testues do të realizohet apo do të ketë shtyrje.

BQK-ja dorëzon aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në SEPA, synohen pagesa më të lira dhe më të shpejta
Pas 15 muajsh në burgun e Serbisë, lirohet Behar Preniqi nga Obiliqi
Kosova dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshje për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale
Në Prilluzhë qytetari hedh në shitje shtëpinë për shkak të korrupsionit të Listës Serbe
Lidhjet e “Alta Bank” me Milan Radoiçiçin dhe Zvonko Veselinoviqin
Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
Nisin punimet për fabrikën e municionit në Gjakovë
Kurti fton shqiptarët e Luginës të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar
Pesë të vdekur dhe mbi dhjetë të plagosur nga të shtënat në qendër të Krakovit
Kosova me synime për dy sfidat e fundit në Ligën e Kombeve, publikohet lista