Prishtinë, 1 shtator 2026 11:20
Përfaqësues të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje liderëve politikë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës.
Në një letër drejtuar institucioneve dhe partive politike, përfaqësuesit shqiptar në SHBA shprehin mbështetjen e tyre për zgjedhjen e Sejdiut, duke e cilësuar atë si një kandidat me përvojë të gjerë diplomatike, juridike dhe institucionale.
Në letër ata theksojnë se Sejdiu, si ish-diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ka integritetin dhe përvojën e nevojshme për të kontribuar në bashkimin e vendit dhe forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
“Në këtë kohë kritike, Kosova kërkon një kryetar shteti që gëzon respekt të thellë institucional dhe zotëron një bilanc të dëshmuar të shërbimit publik. Përgatitja e tij e shquar juridike dhe përvoja diplomatike e bëjnë Dr. Sejdiun jashtëzakonisht të kualifikuar për të përfaqësuar shtetin me dinjitet në skenën globale”, thuhet në letër.
Nënshkruesit kujtojnë edhe bashkëpunimin me Sejdiun gjatë kohës kur ai shërbeu si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork. Sipas tyre, ai kishte një rol të rëndësishëm në lidhjen e diasporës shqiptare në SHBA me Kosovën, përmes organizimit të aktiviteteve kulturore, hapjes së shkollave të gjuhës shqipe dhe angazhimit për Kosovën në qarqet politike në Nju Jork dhe Uashington.
“Për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për atdheun tonë u bëjmë thirrje me respekt të gjitha partive politike brenda Kuvendit që të bashkohen dhe të mbështesin kandidaturën e Dr. Bekim Sejdiut për President të Kosovës”, përfundon letra e nënshkruar nga 28 përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA, ndër ta Elio Ahmetaj, Harry Bajraktari, Vehbi Bajrami, Ekrem Bardha, Mark Gjonaj, Richard Lukaj, Gani Shehu, Beqir Sina, Jim Xhema etj.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dje kanë zytarizuar marrëveshjen që profesori dhe diplomati Bekim Sejdiu të jetë kandidat konsensual për president të Republikës së Kosovës.

Kamberi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve po prek edhe Policinë në Luginën e Preshevës
Vuçiq kandidat për kryeministër, protesta në Nish kundër regjimit të tij
Ischinger: Kos me të drejtë anuloi vizitën në Beograd, çfarë akti i neveritshëm të nderosh një vrasës masiv
Serbia nderon Mlladiqit, reagon Kurti: Vështirë të flitet me atë shoqëri për përballje me të kaluarën
Kurti: Memorandumi i SANU-së dhe elitat serbe duhen studiuar me saktësi
Dehari thërret vazhdimin e seancës konstitutive më 9 shtator
Kurti në përvjetorin e vdekjes së Shën Nënës Tereza: Ajo u shndërrua në urë jo në mur
Gazetari Ermal Panduri denoncon në Polici dyshimet për përndjekje, thotë se mund të ketë lidhje me BIA-n