Prishtinë, 20 tetor 2026 11:38
Kosova ka bërë përparim në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, por ende përballet me mangësi në ndjekjen penale të trafikantëve, identifikimin e viktimave dhe ofrimin e mbështetjes afatgjatë për to. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) e mban Kosovën në Nivelin 2, duke vlerësuar se institucionet kanë shtuar përpjekjet, por nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale për eliminimin e këtij fenomeni.
Sipas raportit, gjatë periudhës së shqyrtuar, institucionet kanë rritur financimin për ndihmën ndaj viktimave, kanë dënuar më shumë persona për trafikim dhe kanë ndarë më shumë mjete për aktivitetet parandaluese. Megjithatë, mbeten shqetësime lidhur me dënimet nën minimumin ligjor, trajtimin e rasteve të fëmijëve të detyruar të lypin dhe mungesën e shërbimeve të qëndrueshme për riintegrimin e viktimave.
“Qeveria tregoi një rritje të përgjithshme të përpjekjeve në krahasim me periudhën e mëparshme të raportimit”, thuhet në raport.
Më pak raste të hetuara dhe aktakuza
Gjatë vitit 2025, Policia e Kosovës hetoi katër raste të trafikimit me qenie njerëzore, krahasuar me pesë raste në vitin 2024. Ndërkohë, autoritetet ngritën aktakuza ndaj 34 personave të dyshuar për këtë vepër penale, nga 49 sa ishin një vit më parë.
Në anën tjetër, gjykatat dënuan tre persona për trafikim me qëllim të shfrytëzimit seksual, ndërsa në vitin 2024 ishte dënuar vetëm një person.
Megjithatë, nga tre të dënuarit gjatë vitit 2025, vetëm dy morën dënime me burgim efektiv. Njëri u dënua me pesë vjet e gjashtë muaj burgim dhe gjobë prej 3.000 eurosh, ndërsa tjetri me tre vjet burgim. Personi i tretë u dënua me një vit burgim me kusht.
DASH vlerëson se dënimet nën minimumin e paraparë me ligj e dobësojnë përgjegjësinë penale të trafikantëve dhe mund të paraqesin rrezik për sigurinë e viktimave.
Raporti evidenton gjithashtu mungesën e trajnimit dhe përvojës së mjaftueshme te një pjesë e prokurorëve dhe gjyqtarëve për trajtimin e rasteve që përfshijnë kontroll emocional dhe shtrëngim psikologjik të viktimave. Sipas vëzhguesve të cituar në raport, kjo mund të çojë në dënime më të buta ose në rikualifikimin e veprave penale në kategori që parashohin ndëshkime më të ulëta.
Shqetësim trajtimi i fëmijëve të detyruar të lypin
Një nga problemet kryesore të evidentuara nga DASH është identifikimi dhe trajtimi i rasteve të fëmijëve që detyrohen nga prindërit ose persona të tjerë të lypin.
Sipas raportit, Policia e Kosovës ka vazhduar që disa prej këtyre rasteve t’i trajtojë si neglizhencë ose abuzim prindëror, në vend që t’i hetojë si trafikim me qenie njerëzore.
Autoritetet nuk i kanë hetuar të gjitha rastet e lypjes së detyruar të fëmijëve si trafikim, ndërsa mungesa e procedurave të përshtatshme për identifikimin e viktimave mund të bëjë që ato të ndëshkohen për veprime të kundërligjshme të kryera si pasojë e drejtpërdrejtë e shfrytëzimit.
Raporti nënvizon se institucionet duhet të përmirësojnë identifikimin e viktimave të mundshme dhe të sigurojnë që ato të mos ndëshkohen për veprime të kryera nën ndikimin ose detyrimin e trafikantëve.
Në vitin 2025 u identifikuan 13 viktima
Gjatë vitit 2025, institucionet e Kosovës identifikuan 13 viktima të trafikimit me qenie njerëzore, krahasuar me 14 në vitin paraprak. Sipas raportit, të gjitha viktimat e identifikuara ishin shfrytëzuar për qëllime të trafikimit seksual. Dy prej tyre ishin gra dhe 11 vajza, ndërsa asnjëra nuk ishte shtetase e huaj.
Raporti bën të ditur se institucionet ofruan strehim, kujdes shëndetësor, këshillim, shërbime juridike dhe ndihmë për riatdhesim, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile.
Në total, 18 viktima morën ndihmë përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qeveritare dhe shoqërisë civile, ndërsa institucionet e specializuara të strehimit asistuan 10 viktima.
DASH vlerëson se mekanizmat e referimit të viktimave funksionojnë mirë, por identifikimi i personave të shfrytëzuar përmes lypjes së detyruar mbetet i pamjaftueshëm, veçanërisht në rastet që përfshijnë fëmijë.
Mungesë e mbështetjes afatgjatë për riintegrim
Përveç problemeve me identifikimin e viktimave, raporti evidenton mangësi në shërbimet që synojnë t’u mundësojnë atyre të rindërtojnë jetën dhe të arrijnë pavarësi financiare.
“Programet e riintegrimit patën sukses të kufizuar për shkak të mungesës së burimeve dhe mundësive të punësimit për viktimat, në mënyrë që ato të bëheshin financiarisht të pavarura”, thuhet në raport.
Qendrat për Punë Sociale ofrojnë shërbime për fëmijët viktima dhe veprojnë si kujdestare të tyre ligjore. Megjithatë, ato përballen me mungesë të stafit dhe kapaciteteve për t’i përmbushur të gjitha përgjegjësitë.
Vështirësi janë evidentuar edhe në ofrimin e shërbimeve për viktimat që janë trafikuar sërish, për personat që kanë nevojë për terapi të përshkruar nga psikiatrit dhe për ata që kërkojnë mbështetje afatgjatë psikosociale.
Sipas raportit, këto mangësi tregojnë se mbrojtja e viktimave nuk mund të përfundojë me identifikimin ose vendosjen e tyre në strehimore. Ajo kërkon shërbime të vazhdueshme, mbështetje profesionale dhe mundësi konkrete për riintegrim në shoqëri.
Rritet financimi për parandalimin e trafikimit
Në fushën e parandalimit, DASH evidenton rritje të financimit nga institucionet e Kosovës. Për aktivitetet parandaluese, qeveria ndau 15.000 euro gjatë vitit 2025, krahasuar me 3.550 euro në vitin 2024.
Institucionet organizuan aktivitete ndërgjegjësuese për grupet e cenueshme, vazhduan funksionimin e linjës telefonike kundër trafikimit dhe ndërmorën masa për të ulur kërkesën për shërbime seksuale komerciale që lidhen me shfrytëzimin e viktimave.
Po ashtu, qeveria vazhdoi rregullimin e veprimtarisë së rekrutuesve të punëtorëve dhe realizimin e inspektimeve të rregullta në vendet e punës.
Megjithatë, raporti thekson se nuk është raportuar trajnim i posaçëm për inspektorët e punës lidhur me identifikimin e trafikimit me qenie njerëzore. Gjithashtu, nuk janë raportuar raste të referuara nga inspektorati te organet e zbatimit të ligjit për trafikim të mundshëm.
Sa i përket zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit për periudhën 2024–2025, raporti thekson se vlerësimi i qeverisë ka evidentuar objektiva të përmbushur, të tjera që janë ende në proces dhe disa që nuk janë zbatuar.
Gratë, vajzat dhe fëmijët mbeten grupet më të cenueshme
Në profilin e trafikimit, raporti thekson se gratë dhe vajzat rekrutohen përmes premtimeve mashtruese për martesë ose punësim si valltare dhe këngëtare, për t’u shfrytëzuar seksualisht në shtëpi private, apartamente, klube nate dhe sallone masazhi.
Ndërkaq, fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera fqinje shfrytëzohen për lypje të detyruar.
Sipas DASH-it, viktima të trafikimit seksual në Kosovë janë edhe gra dhe vajza nga Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe vende të tjera.
Raporti evidenton gjithashtu raste të shfrytëzimit të viktimave të huaja nga Shqipëria, Kolumbia, Meksika, Tajlanda dhe Venezuela në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, shtetasit e Kosovës përballen me trafikim seksual dhe punë të detyruar edhe në vende të tjera të Evropës.
Raporti i DASH-it vlerëson se, ndonëse Kosova ka shtuar përpjekjet për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, nevojiten masa të mëtejshme për të forcuar ndjekjen penale, përmirësuar identifikimin e viktimave dhe siguruar mbrojtje e riintegrim afatgjatë për personat e shfrytëzuar.

Kamberi: Bashkimin e kemi arritur, synojmë më shumë se dy mandate
Propaganda serbe përmes filmave, dokumentari i ri glorifikon Korpusin e Prishtinës
Kamberi: Paqja nuk mund të ndërtohet pa të drejtat e pakicave
Mobilizim elektoral nga Lista Serbe në veri të Kosovës pavarësisht ndalesave – Punonjësit në institucionet paralele nën presion për të mbështetur Vuçiçin
BE-ja mirëpret miratimin e ligjit për pastrimin e parave: Hap drejt anëtarësimit të Kosovës në SEPA
Radulloviq u drejtohet deputetëve të Listës Serbe: “Mund të më vrisni, por nuk mund të më frikësoni”
DASH: Kosova shënon përparim në luftën kundër trafikimit me njerëz, por sfidat vazhdojnë
PSG-Barcelona, kryesfida e mbrëmjes në Ligën e Kampionëve