Prishtinë, 21 tetor 2026 07:04
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka akuzuar Serbinë se po e shfrytëzon Këshillin e Sigurimit të OKB-së për qëllime politike dhe për të paraqitur veprimet e institucioneve të Kosovës si përpjekje për frikësimin dhe largimin e serbëve nga vendi.
Në fund të diskutimit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Konjufca tha se Kosova është shtet shumëetnik dhe sekular, ndërsa theksoi se institucionet e saj veprojnë në bazë të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
“Është për të ardhur keq që Serbia vazhdimisht e shfrytëzon edhe këtë platformë për të bërë fushatë për qëllime politike. I kanë zgjedhjet më 25 tetor, të dielen e ardhshme, edhe e kuptoj plotësisht Ministrin Gjuriq pse e përdor një diskurs të tillë. Mirëpo do të sqaroj disa gjëra për këtë”, deklaroi Konjufca.
Ai theksoi se harmonia fetare është një nga tiparet e shoqërisë kosovare, duke akuzuar Serbinë për shfrytëzimin e kishës për ndarje etnike dhe nacionaliste.
“Kosova është shtet shumëetnik, sekular, harmonia fetare ka qenë një nga tiparet më të theksuara të popullit tonë. Ata që ne kemi prejardhje katolike, myslimane dhe ortodokse, dhe si një shtet mund të jetë ekstremist në aspektin fetar, kur ne rishtazi kemi zgjedhur një presidente të re, e cila vjen nga feja katolike. Mirëpo Serbia është e njohur për shfrytëzimin e kishës së saj për ndarje etnike dhe nacionaliste, e fabrikajnë incidente për të ruajtur marrëdhëniet e këqija ndëretnike. E ka bërë këtë edhe në vitet ’90-ta dhe vazhdon ta bëjë edhe sot e kësaj dite”, tha ai.
Konjufca foli edhe për krimet e luftës në Kosovë, duke përmendur Masakrën e Mejës. “Gjatë luftës, një numër i madh i viktimave civile ishin shqiptarë katolikë, të vrarë nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare të Serbisë. Masakra jonë më e madhe në vitin 1999 ishte Masakra e Mejës. Kemi quajtur Srebrenica jonë sepse është masakra më e madhe nga të gjitha. 377 persona janë vrarë, shumica nga ta shqiptarë nga popullata katolike me fe. Kjo është kur flasim për atë se sa Serbia e mbron krishtërimin në botë”, u shpreh Konjufca.
Ai i cilësoi pretendimet e Serbisë për veprimet e institucioneve të Kosovës si pjesë të asaj që e quajti luftë hibride.
“Prandaj duhet ta interpretojmë retorikën e Serbisë dhe taktikat politike në këtë kontekst. Kjo është vazhdim i luftës hibride përmes nxitjes së incidenteve të rreme fetare”, deklaroi ai.
Konjufca tha se institucionet e Kosovës i trajtojnë rastet në bazë të procedurave ligjore, pavarësisht përkatësisë etnike, duke përmendur hetimet për krime lufte, spiunazh dhe uzurpim të pronës.
“E ndryshme nga Serbia, e cila ka një traditë të gjatë të diskriminimit etnik, Qeveria e Kosovës e bën punën e vet në bazë të procedurave dhe parimeve të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, pavarësisht përkatësisë etnike. Agjencitë tona ligjzbatuese, gjykatat dhe organet profesionale i trajtojnë të gjitha rastet e krimeve të luftës te hetimet e tyre, por gjithashtu rastet e espionazhit dhe gjithashtu edhe uzurpimin e pronës në mënyrë të paligjshme, nuk bëjmë ndjekje dhe nuk arrestojmë asnjë kapele pa pasur prova dhe pa pasur hetime të duhura”, tha ai.

DASH: Kosova shënon përparim në luftën kundër trafikimit me njerëz, por sfidat vazhdojnë
Kamberi: Bashkimin e kemi arritur, synojmë më shumë se dy mandate
Propaganda serbe përmes filmave, dokumentari i ri glorifikon Korpusin e Prishtinës
Kamberi: Paqja nuk mund të ndërtohet pa të drejtat e pakicave
Mobilizim elektoral nga Lista Serbe në veri të Kosovës pavarësisht ndalesave – Punonjësit në institucionet paralele nën presion për të mbështetur Vuçiçin
BE-ja mirëpret miratimin e ligjit për pastrimin e parave: Hap drejt anëtarësimit të Kosovës në SEPA
Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkon që sulmuesit e Banjskës të mbahen përgjegjës
Radoiçiqi dhe Veselinoviqi përballen me akuza të reja për vrasje
Egzon Shalti dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit