Prishtinë, 21 tetor 2026 09:28
Kosova po rikthehet në qendër të retorikës nacionaliste në Serbi, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Pretendimet për rikthimin e Kosovës nën kontrollin e Serbisë po shërbejnë si instrument për mobilizimin e votuesve dhe goditjen e kundërshtarëve politikë. Profesorë dhe njohës të sigurisë paralajmërojnë se kjo gjuhë, përtej kalkulimeve elektorale, mund të ushqejë indoktrinimin nacionalist dhe të krijojë terren për veprime ekstremiste, duke rikthyer vëmendjen te sulmi i armatosur në Banjskë dhe shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc.
Në vend që të përqendrohet te problemet e brendshme dhe sfidat me të cilat përballet shoqëria serbe, politika në Serbi po e përdor sërish Kosovën si temë qendrore të betejës për pushtet. Pretendimet territoriale dhe narrativat nacionaliste po rikthehen në diskursin e zyrtarëve dhe përfaqësuesve politikë, duke e paraqitur çështjen e Kosovës si mjet për të nxitur ndjenjat kombëtare dhe për t’i portretizuar kundërshtarët si njerëz që, sipas tyre, rrezikojnë interesat e Serbisë.
Kjo qasje nuk kufizohet vetëm te presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq. Edhe deputetë dhe drejtues të partive të tjera serbe po shprehin pretendime për rikthimin e Kosovës nën kontrollin e Beogradit, duke e mbajtur gjallë një diskurs që bie ndesh me realitetin politik të Kosovës si shtet i pavarur.
Kryetari i Partisë Popullore Serbe, Vladimir Gajiq, ka deklaruar se rikthimi i Kosovës nën Serbi është vetëm çështje kohe. Ai ka mohuar se kjo është një çështje mitike dhe ka kërkuar që ajo të zgjidhet në terren, duke iu referuar luftës Rusi-Ukrainë dhe agresionit rus. Gajiq ka këmbëngulur se Serbia, herët a vonë, do ta rikthejë Kosovën nën kontrollin e saj.
Deklarata të tilla e zhvendosin debatin nga diplomacia dhe respektimi i realitetit politik drejt pretendimeve për ndryshim të gjendjes në terren. Në një rajon që ende përballet me pasojat e luftërave të viteve 1990, përdorimi i luftës në Ukrainë si referencë për çështjen e Kosovës ngre shqetësime për mënyrën se si një pjesë e politikës serbe e trajton çështjen e sovranitetit dhe kufijve.
Profesorët dhe njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se Kosova po përdoret si kartë elektorale për të mobilizuar votuesit, për të delegjitimuar rivalët dhe për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme të Serbisë. Sipas tyre, kjo strategji shoqërohet edhe me një orientim politik që i jep përparësi marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën, duke anashkaluar integrimin evropian.
“Fokusi kryesor është që Rusia, raportet me Rusinë e me Kinën, me anashkalu BE-në, dhe Kosova si një kartë elektorale të cilën po mundohen tanë kohën me shfrytëzua për me delegjitimu kundërshtarin njëri-tjetrin, por njëkohësisht edhe për ta mobilizu elektoratin e tyre me një narracion kombëtar”, ka thënë për RTK-në Festim Rizanaj, profesor në Universitetin e Prishtinës.
Përtej kalkulimeve politike, shqetësimi lidhet me pasojat që kjo retorikë mund të ketë në terren. Njohësit e sigurisë paralajmërojnë se përsëritja e pretendimeve territoriale dhe përhapja e narrativave nacionaliste mund të ndikojnë në radikalizimin e individëve dhe të krijojnë klimë të favorshme për veprime të dhunshme.
Gurakuç Kuçi nga Instituti “Octopus” ka paralajmëruar se indoktrinimi përmes një gjuhe të tillë mund t’i shtyjë individët drejt veprimeve ekstremiste, të kontrolluara ose të pakontrolluara.
“Këta njerëz të indoktrinuar dhe të cilët indoktrinohen me terma të këtillë, atëherë ata mund të bëhen lloj kamikazësh, lloj terroristësh, të cilët mund të funksionojnë në forma të kontrolluara apo të pakontrolluara në nivele të terrorizmit, sikurse që ishte rasti i Banjskës, apo në nivele ku ata mund të kryejnë veprime brenda Kosovës apo kundër shqiptarëve në vende të ndryshme”, ka deklaruar Kuçi.
Paralajmërimet e ekspertëve marrin peshë të veçantë në dritën e sulmit të armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc në nëntor të vitit 2024. Këto ngjarje kanë nxjerrë në pah rrezikun që paraqesin veprimet e dhunshme ndaj institucioneve dhe infrastrukturës kritike të Kosovës.
Në këtë kontekst, deklaratat për rikthimin e Kosovës nën kontrollin e Serbisë nuk mund të trajtohen vetëm si retorikë e zakonshme elektorale. Ato kërkojnë vëmendje të veçantë për shkak të ndikimit që mund të kenë në klimën politike dhe të sigurisë në rajon. Përderisa Beogradi vazhdon ta përdorë Kosovën në diskursin e brendshëm politik, mbetet shqetësimi se pretendimet territoriale mund të shërbejnë për të ushqyer tensionet dhe për të penguar normalizimin e marrëdhënieve.
Kur pretendimet territoriale shndërrohen në mjet për mobilizim politik, rreziku nuk mbetet vetëm në nivelin e fjalëve. Përvoja e Kosovës me sulmin në Banjskë dhe shpërthimin në Ibër-Lepenc tregon rëndësinë e trajtimit serioz të këtyre paralajmërimeve, pa i barazuar automatikisht deklaratat politike me përgjegjësinë për akte konkrete dhune.

Tragjedia e shqiptarëve të vrarë përdoret në përplasjet politike në Serbi
Trump ndalon transmetimin e ekzekutimit të ish-ushtarakut të dënuar për sulmin në Fort Hood
Përshkallëzohen luftimet në Jemen
Rusia sulmon termocentralin ukrainas pak orë pas ‘armëpushimit energjetik’
12 të vrarë dhe 300 të plagosur nga sulmi në aeroportin e Riadit, në Arabi
Izraeli dhe Turqia përplasen gjithnjë e më shumë, Siria kthehet në pikën më të nxehtë
Rruga Korishë–Kabash në Prizren, investim prej 4.1 milionë eurosh
Serbia e rikthen Kosovën në qendër të retorikës nacionaliste: Pretendimet territoriale si mjet për pushtet
Konjufca: Serbia po e shfrytëzon OKB-në për qëllime politike
Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkon që sulmuesit e Banjskës të mbahen përgjegjës