Prishtinë, 20 tetor 2026 07:56
Me filma dhe dokumentarë që paraqesin ushtrinë serbe në një dritë heroike dhe lënë në plan të dytë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, Serbia po vazhdon të promovojë narrativën e saj për luftën dhe UÇK-në. Promovimi i fundit nga Ministria e Mbrojtjes në Beograd i dokumentarit “Korpusi i Prishtinës: Na komandon atdheu” ka nxitur reagime, ndërsa njohësit e sigurisë e shohin këtë qasje si përpjekje për ta formësuar historinë e luftës sipas narrativës nacionaliste serbe.
Dokumentari i kushtohet të ashtuquajturit “Korpusi i Prishtinës”, një formacion ushtarak serb, dy prej komandantëve të të cilit janë dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës.
Premiera e filmit u mbajt në Nish, në prani të zyrtarëve të lartë serbë, si dhe të Vlladimir Llazareviqit, ish-komandantit të korpusit, i cili është dënuar për krime lufte të kryera në Kosovë.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë e prezantoi dokumentarin si rrëfim për heroizmin dhe sakrificën e ushtarëve serbë. Në këtë ngjarje, ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, kritikoi UÇK-në.
Për njohësit e sigurisë në Kosovë, një qasje e tillë është pjesë e vazhdimësisë së narrativës serbe për luftën në Kosovë. Sipas tyre, përmes këtyre produksioneve synohet që veprimtaria e strukturave ushtarake serbe të paraqitet nga këndvështrimi i heroizmit, ndërsa krimet ndaj popullsisë civile të mbeten jashtë rrëfimit.
“Kjo tregon hipokrizinë e politikës serbe, por edhe propagandën me të cilën, deri diku, kanë arritur ta bindin një pjesë të opinionit, sidomos me rastin e krijimit të Gjykatës Speciale, por edhe përmes provave të falsifikuara dhe të fabrikuara. Tani mundohen që opinionin e vet ta nxisin për një luftë të fuqishme që kanë bërë në Kosovë, por me një përfundim melankolik, pasi ata nuk ia dolën”, tha Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.
Ndërkohë, në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus” vlerësojnë se promovimi i narrativave nacionaliste në Serbi duhet parë edhe në kontekstin e orientimit të saj politik dhe marrëdhënieve me Perëndimin e Rusinë.
“Diskursi nacionalist në Serbi duhet të marrë përgjigje të qartë dhe të vendosur nga ana e Perëndimit, në veçanti nga Brukseli, për shkak se Serbia do të përpiqet, si deri më tani, ta ruajë pozicionin e dyfishtë të përfitimit, duke marrë fonde nga Perëndimi dhe duke u rreshtuar gjithnjë e më shumë me Rusinë”, tha Arben Fetoshi nga Instituti “Octopus”.
Dokumentari është prodhuar nga qendra filmike ushtarake “Zastava Film” dhe e trajton historinë e “Korpusit të Prishtinës” kryesisht nga këndvështrimi i strukturave ushtarake serbe. Në këtë rrëfim, krimet dhe masakrat e kryera ndaj popullsisë civile në Kosovë nuk zënë vendin që zënë veprimet ushtarake dhe sakrifica e pjesëtarëve të korpusit.
Ky nuk është rasti i vetëm kur produksionet serbe e trajtojnë luftën në Kosovë nga një këndvështrim i njëanshëm. Më herët, në Serbi është realizuar edhe një dokumentar për Betejën e Koshares, i cili po ashtu është kritikuar për mënyrën se si e paraqet atë periudhë të luftës.

Kamberi: Paqja nuk mund të ndërtohet pa të drejtat e pakicave
Mobilizim elektoral nga Lista Serbe në veri të Kosovës pavarësisht ndalesave – Punonjësit në institucionet paralele nën presion për të mbështetur Vuçiçin
BE-ja mirëpret miratimin e ligjit për pastrimin e parave: Hap drejt anëtarësimit të Kosovës në SEPA
Radulloviq u drejtohet deputetëve të Listës Serbe: “Mund të më vrisni, por nuk mund të më frikësoni”
Ligji për Specialen kalon në zyrën e presidentes për dekretim
Kosova forcon përafrimin me BE-në përmes masave të reja ndaj Rusisë
Mbi 1.54 miliardë euro investime në bizneset e Kosovës gjatë vitit 2025
Mungesa e prokurorit të rastit ndërpret seancën për Ibër-Lepencin
Vazhdon gjykimi për sulmin në Ibër-Lepenc, dëgjohen dëshmitarët