Prishtinë, 15 tetor 2026 06:54
Kinematografia e Kosovës ka shënuar një tjetër sukses në skenën ndërkombëtare. Dy filma kosovarë, “Dua” i regjisores Blerta Basholli dhe “Shame and Money” i regjisorit Visar Morina, janë përfshirë në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027, të njohura gjerësisht si “Oscar”-ët evropianë.
Përzgjedhja e dy produksioneve nga Kosova përbën një arritje të rëndësishme për industrinë vendore të filmit dhe dëshmon rritjen e pranisë së kineastëve kosovarë në kinematografinë evropiane.
Tashmë, anëtarët e Akademisë Evropiane të Filmit do të votojnë për nominimet përfundimtare, të cilat pritet të shpallen më 14 nëntor. Ceremonia e Çmimeve Evropiane të Filmit do të mbahet më 16 janar 2027 në Athinë. Në kategorinë e filmit artistik janë përfshirë gjithsej 44 filma.
Qendra Kinematografike e Kosovës e ka cilësuar përzgjedhjen e të dy filmave si dëshmi të pranisë gjithnjë e më të fuqishme të kineastëve nga Kosova në skenën evropiane të filmit.
“Dua”, me regji të Blerta Bashollit, trajton realitetin e një brezi adoleshentësh të rritur në Kosovën e viteve ’90, mes pasigurive dhe sfidave të asaj periudhe. Skenari është shkruar nga Basholli dhe Nicole Borgeat.
Ndërkaq, “Shame and Money”, me regji dhe skenar të Visar Morinës, bashkë me Doruntina Bashën, rrëfen historinë e një familjeje kosovare që, pas humbjes së mënyrës së jetesës në fshat, detyrohet të zhvendoset në Prishtinë në kërkim të punës dhe një jete më të mirë.
Suksesi i dy filmave vjen në një periudhë kur Kosova ka dy mundësi për të qenë pjesë e garës për çmimin Oscar. “Dua” është kandidati zyrtar i Kosovës për “Academy Awards”, ndërsa “Shame and Money” ka siguruar rrugën drejt garës përmes suksesit në Festivalin e Filmit Sundance dhe ndryshimeve në rregulloren e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit.
Në fillim të kësaj jave, “Dua” mori edhe tri çmime në Waterloo Historical Film Festival në Belgjikë. Aktorja Pinea Matoshi u vlerësua me çmimin për aktoren më të mirë, ndërsa filmi fitoi edhe për rikonstruksionin më të mirë artistik dhe çmimin e jurisë së të rinjve.
Përfshirja e “Dua” dhe “Shame and Money” në listën e ngushtë të Çmimeve Evropiane të Filmit e forcon edhe më tej pozitën e kinematografisë kosovare në skenën ndërkombëtare.

Kosovës i shtohen 13 objekte në listën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore
Shtëpia e Kulturës së Runikut të Skenderajt nga kujtesa lokale në skenën e New Yorkut
“Akordet e Kosovës” rikthehen me format të zgjeruar, përfshihen edhe fëmijët
Rreth 20 mijë vizitorë dhe mijëra libra të shitur në Festivalin për Fëmijë
Xhamia e Burojës drejt përfundimit të restaurimit, së shpejti i kthehet komunitetit
Muzeu Etnologjik i Kosovës – dy dekada në promovimin e etnokulturës dhe trashëgimisë kulturore
Vuçiqit i pengon ndërkombëtarizimi i çështjes së Luginës
Lufta kundër krimit të organizuar, shtatë persona përballen me aktakuzë
Kosova në garë për “Oscar”-ët evropianë me “Dua” dhe “Shame and Money”
Përshkallëzohen luftimet në Jemen