Prishtinë, 22 gusht 2026 19:16
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in lidhur me hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Kurti këto deklarata i bëri në konferencën për media pas prezantimit të projektit për banim adekuat social, ku iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Duke folur për procesin e hapjes së urës dhe marrjen e saj tërësisht nën kontroll nga Policia e Kosovës, Kurti tha se institucionet janë duke u koordinuar vazhdimisht me misionin e KFOR-it, me qëllim që procesi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore.
“Sa i përket itinerarit për hapjen e plotë të urës, përkatësisht marrjen nën kontroll tërësisht nga ana e Policisë së Kosovës, ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se gjatë pasdites e ka të planifikuar edhe një takim me komandantin e KFOR-it.
“Unë sot pasdite kam edhe një takim në Kryeministri me gjeneralin e KFOR-it, përkatësisht komandantin Özkan Ulutaş. Pra, jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore”, u shpreh ai.
Kurti tha se pas ndërtimit të urave të reja në Mitrovicë, mbajtja e mbyllur e urës kryesore është bërë një situatë absurde.
“Duhet të rikujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja, është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër ato urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve, as të tensioneve, tregon që qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave, liria gjithnjë e më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen e sigurinë”, tha Kurti.
Kurti foli edhe për operacionet e Policisë së Kosovës dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të armëve dhe municionit në veri të vendit.
Ai tha se Policia e Kosovës ka prezantuar arsenalin e armëve dhe municionit të konfiskuar gjatë aksioneve të ndryshme, ndërsa theksoi se grumbullime të armëve ilegale kanë ekzistuar në zona të ndryshme të Kosovës, por veçanërisht në veri.
“Policia e Kosovës, siç e dini, ka prezantuar arsenalin e madh të armëve dhe të municionit që i ka konfiskuar në veri të Kosovës”, tha Kurti.
Sipas tij, gjatë tri viteve të fundit janë zhvilluar aksione të shumta policore, përmes të cilave është synuar largimi i armëve ilegale nga duart e personave që mund të paraqesin rrezik për sigurinë publike.
“Ju e dini se në Republikën tonë kemi pasur grumbullime të armëve ilegale, anë e mbanë Kosovës, por veçanërisht në veri të Kosovës. Dhe në këto tre vitet e fundit kemi aksione të shumta policore, të cilat praktikisht po marrin armët nga duart e atyre që ose janë kriminelë, ose në rastin më të mirë potencialisht kriminelë”, tha ai.
Kurti theksoi se prania e armëve ilegale, veçanërisht e armëve me tyta të gjata dhe sasive të mëdha të municionit, paraqet rrezik dhe nuk mund të konsiderohet si diçka e padëmshme.
“Sepse armatimi ilegal me tyta të gjata, me gjithë atë municion, nuk është për hajr, përveç për sherr”, u shpreh kryeministri në detyrë.
Ai tha se konfiskimi i armëve nuk lidhet vetëm me parandalimin ose hetimin e krimeve të kryera më parë, por edhe me parandalimin e veprave të mundshme kriminale në të ardhmen.
“Pra, jo vetëm që kemi konfiskuar armatim të atyre që kanë bërë krime, por në të njëjtën kohë kemi konfiskuar edhe armatim duke parandaluar krime në vijim”, tha Kurti.
Në fund, ai vlerësoi punën e institucioneve të sigurisë, duke veçuar Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë për operacionet dhe rezultatet në konfiskimin e armatimit ilegal.

KEK-u paralajmëron Task-Forcë për sigurinë në punë pas vdekjeve të punëtorëve
Aktakuzë për spiunazh ndaj pilotit kroat dhe partneres së tij serbe, spiunuan për situatën në veri
Kurti: 37 milionë euro për projektin e banimit social adekuat në Kosovë për 21 komuna
Elshani: Situata në veri stabile por edhe delikate
KEK rikthen në operim njësinë A4
Zubin Potoku në qendër të hetimeve, armët e sekuestruara të krimit dhe mbetjet mortore të 23 personave
Liderët e Luginës kërkojnë prani konkrete institucionale të Shqipërisë