Prizren, 18 gusht 2026 17:09
Një person është arrestuar në Prizren nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim, pas një hetimi të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë së Kosovës.
I dyshuari me inicialet I.Ç., pronar dhe person përgjegjës i një Qendre për Verifikim të Aftësive Profesionale në Prizren, dyshohet se ka lëshuar diploma të aftësimit profesional për profesione të ndryshme, pa zhvilluar trajnimet teorike dhe praktike që kërkoheshin.
Sipas hetimeve, në diplomat e lëshuara ishte paraqitur se kandidatët i kishin përfunduar me sukses trajnimet, ndërsa dokumentet dyshohet se janë përdorur për punësim brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe për plotësimin e kritereve në procedura të ndryshme të prokurimit.
Hetuesit dyshojnë se nga viti 2019 deri më tani janë lëshuar rreth 1,679 diploma, ndërsa pagesa për një diplomë dyshohet të ketë qenë rreth 300 euro. Përfitimi i përgjithshëm nga kjo veprimtari dyshohet të jetë rreth 500 mijë euro.
Gjatë një kontrolli të autorizuar nga Gjykata Themelore në Prizren, në bashkëpunim me inspektorët tatimorë, janë sekuestruar 333 diploma profesionale, dy kompjuterë me program për regjistrimin e diplomave, dy USB me të dhëna, tri vula të biznesit, një telefon mobil, 11 fleta me shënime për borxhe dhe pagesa, 630 euro para të gatshme dhe nëntë kartëvizita.
Sipas Prokurorisë, nga dëshmitë e siguruara dyshohet se subjekti nuk ka qenë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe nuk ka pasur autorizim për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.
I dyshuari ndodhet në ndalim prej 48 orësh. Prokuroria pritet të vlerësojë brenda afatit ligjor nëse do të kërkojë caktimin e masës për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale.
Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë bërë thirrje për qytetarët që dyshojnë se janë mashtruar apo dëmtuar lidhur me pajisjen me diploma ose dokumente të aftësimit profesional nga ky subjekt, që rastin ta raportojnë në Prokurorinë Themelore në Prizren ose në stacionin më të afërt policor.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.

KPK-ja largon Blerim Isufajn nga pozita e Kryeprokurorit
Nis eksporti i parë drejt Zvicrës pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Kosovë–EFTA
Kosovë–Kroaci, marrëveshje bashkëpunimi për dokumentet e luftës
Objekti i Qeverisë së Kosovës ndriçohet me flamurin e UÇK-së
Dëshmitari thotë se mori kërcënime nga Sheholli
1 tetori i protestave: Dikur rezistencë, sot thirrje për liri
Ministri kroat i Mbrojtjes: Kemi përgjigje ndaj arsenalit ofensiv të Serbisë, Kosovën e kemi aleate
FSK përgatit instruktorët për sfidat e luftës moderne
Mujanoviq: Alarm për të gjithë Evropën, Putin po përsërit narrativin e Millosheviq për “Serbinë e Madhe”