Prishtinë, 17 gusht 2026 21:17
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe kompania energjetike e Maqedonisë së Veriut, JSC ESM, kanë nënshkruar kontratë trevjeçare për shitjen e qymyrit, me vlerë të përgjithshme që mund të arrijë deri në 73.2 milionë euro.
Marrëveshja është nënshkruar më 14 gusht 2026 dhe, sipas KEK-ut, paraqet një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit energjetik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas kontratës, çmimi i qymyrit është përcaktuar në 24.4 euro për ton, pa TVSH, dhe do të mbetet i pandryshuar gjatë periudhës 36-mujore të marrëveshjes.
Një prej veçorive kryesore të kontratës është se KEK-u nuk do të ketë obligime për eskavimin, transportin apo operacionet logjistike të lidhura me tërheqjen e qymyrit. Këto përgjegjësi do t’i bartë JSC ESM, ndërsa KEK-u do të realizojë të hyrat për sasinë e qymyrit të tërhequr.
Nga KEK-u kanë bërë të ditur se marrëveshja do t’i mundësojë Korporatës të sigurojë të hyra më të parashikueshme dhe të planifikojë më mirë prodhimin dhe shfrytëzimin e kapaciteteve minerare.
Të hyrat e realizuara nga shitja e qymyrit pritet të kontribuojnë edhe në mbulimin e kostove operative dhe kapitale, ndërsa një pjesë do të investohet në modernizimin e infrastrukturës së Divizionit të Prodhimit të Qymyrit, me synim rritjen e kapaciteteve, efikasitetit dhe sigurisë në operacionet minerare.
Kjo është hera e parë që KEK-u lidh një kontratë të drejtpërdrejtë të këtij lloji me JSC ESM. Në të kaluarën, sipas KEK-ut, kontratat ishin realizuar përmes operatorëve ekonomikë privatë, të cilët shërbenin si ndërmjetës, ndërsa përdoruesi përfundimtar i qymyrit ishte ESM.
Përmes marrëveshjes së re, KEK-u synon të eliminojë ndërmjetësimin dhe ta shesë qymyrin drejtpërdrejt te përdoruesi përfundimtar.
Nga ana tjetër, JSC ESM siguron furnizim afatgjatë me qymyr, me çmim të përcaktuar dhe kushte të parashikueshme, duke reduktuar ekspozimin ndaj luhatjeve të tregut ndërkombëtar.
KEK-u e ka cilësuar marrëveshjen si më shumë se një transaksion komercial, duke e vlerësuar atë si një hap drejt forcimit të sigurisë energjetike dhe bashkëpunimit rajonal ndërmjet dy vendeve.
Kontrata vjen në një periudhë kur KEK-u është duke realizuar investime kapitale në rehabilitimin dhe modernizimin e kapaciteteve energjetike, ndërsa ndalesat e planifikuara të njësive të termocentraleve kërkojnë menaxhim të kujdesshëm të resurseve dhe financave të Korporatës.
Sipas KEK-ut, marrëveshja krijon bazë për zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet dy kompanive publike energjetike dhe mund të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit energjetik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

MINTI: Ueb-faqja e Konsumatorit, cak i sulmit kibernetik
Për 7 muaj Dogana mbledh mbi 1.15 miliardë euro
Parku Industrial i Podujevës, investim mbi 3 milionë euro për zhvillimin ekonomik të Llapit
Kurti: Synimi është transformimi i ekonomisë dhe rritja e prodhimit vendor
I arrestuari për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj 2023 është Igor Markoviq
28 vjet nga vrasja e Cen Dugollit, dëshmori që nuk i zbuloi sekretet e UÇK-së
EMV e Maqedonisë së Veriut nënshkruan me KEK kontratë 3 vjeçare për blerjen 3 milionë tonëve qymyr
Nga arrestimi në Merdarë te 30 ditë paraburgimi për Fehim Sali
Prokuroria kërkon paraburgim për të arrestuarin në Zveçan