Prishtinë, 17 gusht 2026 8:39
Kanë dalë detaje të reja për personin e arrestuar të shtunën në Zveçan, i dyshuar për përfshirje në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë tensioneve të majit të vitit 2023.
Burime të KosovaPress-it kanë bërë të ditur se i arrestuari është Igor Markoviq, i cili, sipas të njëjtave burime, ka qenë pjesëtar i policisë serbe dhe ka hyrë në Kosovë nga territori i Serbisë përmes pjesës veriore të vendit.
Më herët gjatë ditës, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale njoftuan për arrestimin e një personi me inicialet I.M., i dyshuar për sulmet e ndodhura në Zveçan në maj të vitit 2023.
Në një komunikatë të përbashkët, Policia dhe Prokuroria Speciale njoftuan se i dyshuari përballet me akuza për sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, bashkim për veprimtari kundërkushtetuese dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.
“Igor Markoviq, është arrestuar në Zveçan, pas ndërmarrjes së shumë veprimeve hetimore. Ai dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës do të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin dhe standardet më të larta ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e përbashkët.
Dhuna në Zveçan shpërtheu në fund të majit të vitit 2023, kur serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Tensionet pasuan zgjedhjet lokale të mbajtura në komunat veriore, të cilat ishin bojkotuar nga komuniteti serb.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar vazhdimisht se ngjarjet e asaj periudhe ishin organizuar nga grupe kriminale të lidhura me Serbinë.
Gjatë përleshjeve në Zveçan, 93 pjesëtarë të KFOR-it u plagosën, ndërsa disa prej tyre pësuan lëndime të rënda.

Hashim Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin kundër administrimit të drejtësisë
Kurti: Askush nuk duhet të përballet e vetme me kancerin e gjirit
Sot protestohet kundër aktgjykimit të Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Nga nesër hyn në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA-n
Qeveria rialokon 102 milionë euro për pagën e 13-të dhe shtesën 0.5 për përvojë pune
Aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte në Kaçanik
Von der Leyen sot në Kosovë, pritet të takohet me Haxhiun e Kurtin