Prishtinë, 11 gusht 2026 11:02
Terroristi Millan Radoiçiq është mes 20 personave që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon për krime lufte në Gjakovë dhe për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve. Trupat e të vrarëve më vonë u gjetën në një varrezë masive pranë Batajnicës.
Të akuzuarit ngarkohen se gjatë viteve 1998 dhe 1999 kanë kryer krime lufte, si dhe se kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve në territorin e Gjakovës.
Aktakuza, përveç Millan Radoiçiqit, është ngritur edhe kundër: Millovan Kovaçeviqit, Radomir Çoliqit, Millosh Dosanit, Predrag Ristiqit, Sërgjan Kërstiqit, Lubisha Obradoviqit, Zhivko Sariqit, Spaso Sariqit, Llazar Drashkoviqit, Zvonko Ristiqit, Darko Gligorijeviqit, Çedomir Bozhoviqit, Vlladimir Bozhoviqit, Robert Dobrunajt, Radomir Rakoviqit, Lubisha Rakoviqit, Millosh Shqepanoviqit, Svetisllav Glligorijeviqit dhe Tomica Avramoviqit.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë viteve të përmendura, Kovaçeviqi, në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, Çoliq, në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë Speciale, dhe Dosan, në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të akuzuarit e tjerë, përfshirë Radoiçiqin, si pjesëtarë të njësive të lartpërmendura, akuzohen se kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve gjatë një operacioni të gjerë ushtarak dhe policor.
Nga urdhër-arrestet për Radoiçiqin dhe të tjerët, të lëshuara nga Prokuroria Themelore në Gjakovë në prill të vitit 2025, për shkak të dyshimeve se kanë marrë pjesë në vrasjen e civilëve, rezulton se bëhet fjalë për trupat që në vitin 2001 u gjetën në zonën ndërmjet Zemun Poles dhe Batajnicës.
Ndanin gratë dhe fëmijët, pastaj vrisnin burrat
Në arsyetimin e urdhrit për arrestim thuhet se gjatë viteve 1998–1999, në vendin e quajtur “Ura e Taliqit” në Gjakovë, nga 7 deri më 10 maj 1999, pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore serbe të uniformuara, përfshirë edhe të akuzuarit, filluan të hynin shtëpi më shtëpi. Ku me forcë dhe kërcënime i nxirrnin të gjithë të pranishmit nga shtëpitë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, dhe më pas vranë gjithsej 106 civilë të kombësisë shqiptare, ndërsa trupat e tyre pas luftës u gjetën në një varrezë masive në Batajnicë.
Civilët dyshohet se i mbanin në burgje të improvizuara
Në urdhrin për arrestim thuhet gjithashtu se ky grup personash, përfshirë Radoiçiqin, nga 7 deri më 10 maj 1999 arrestoi dhe ndaloi më shumë se 300 civilë shqiptarë, të cilët mbaheshin në burgje të improvizuara, ku nuk trajtoheshin në mënyrë njerëzore, privoheshin nga nevojat themelore të jetesës, ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi mjekësor, pas së cilës një pjesë e madhe e këtyre të burgosurve u dërgua në burgje të ndryshme në Kosovë.
Varreza masive në Batajnicë
Për varrezën masive ku u varrosën trupat e viktimave të kësaj masakre, opinioni publik serb u vu në dijeni pas 5 tetorit 2000. Një nga krimet më të tmerrshme të regjimit të Millosheviqit u procedua edhe në gjykatë dhe, për këtë rast, në Tribunalin e Hagës u dënua Vllastimir Gjorgjeviq, shef i Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me 18 vjet burgim.
U konstatua se zhvendosja e trupave ishte kryer me urdhër të presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ka raportuar më herët BBC.
Përveç në Batajnicë, trupat e shqiptarëve të vrarë në Serbi janë fshehur edhe në të paktën dy varreza të tjera masive – në Petrovo Selo (Klladovë) dhe pranë liqenit të Peruçacit (Bajina Bashta). Në këto lokacione janë nxjerrë mbetjet mortore të të paktën 800 personave.
Kush e mbron Millan Radoiçiqin?
Duke e parë në mënyrë kronologjike, aktakuza e fundit është vetëm njëra nga një sërë aktakuzash të ngritura kundër Radoiçiqit. Nuk duhet harruar se së fundmi ka përfunduar procesi gjyqësor për sulmin terrorist në Banjskë, ku u gjykuan vetëm Vlladimir Tolliqi, Bllagoje Spasojeviqi dhe Dushan Maksimoviqi, të cilët në atë kohë u arrestuan dhe ndodhen në paraburgim në Kosovë, ndërsa të akuzuarit e tjerë janë në arrati.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 24 prill, shqiptoi dënime të përjetshme në shkallën e parë për Tolliqin dhe Spasojeviqin, ndërsa për Maksimoviqin, i cili ishte i vetmi që mori pjesë në shpalljen e aktgjykimit, 30 vjet burgim. Edhe pse përmes avokatit të tij, Goran Petronijeviq, Radoiçiqi pranoi fajësinë për sulmin terrorist, ai mbeti i paarritshëm për procesin gjyqësor.

Mbi 174 mijë aplikime për subvencionimin e teksteve shkollore, përfshihen për herë të parë edhe familjet pa leje qëndrimi
30 mijë persona të vdekur: Vera e këtij viti, më e nxehta në historinë e Evropës
Rama i përgjigjet Serbisë: Kosova është republikë sovrane, territori i saj nuk është serb
Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi edhe në Gjilan
Haxhiu përkujton dëshmorët e 10 gushtit 1998
U.d. presidentja Haxhiu pret bashkatdhetarët në Kuvend: Mërgata nuk është larg Kosovës, mërgata është pjesë e pandashme e saj
Aktakuza ndaj Radojçiçit dhe të tjerëve pohon se trupat e 107 civilëve të vrarë u groposën në Batajnicë
Aksident në Malishevë, vdes 30 vjeçari
FSK fuqizohet me investime të reja në infrastrukturë për kazermën në Devë