Prishtinë, 11 gusht 2026 09:20
Mbi 174 mijë e 720 aplikime të suksesshme janë regjistruar deri më tani për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit në Kosovë. Ministria e Arsimit synon që procesi i subvencionimit të përfundojë para fillimit të vitit të ri shkollor, më 1 shtator.
Për herë të parë, në këtë skemë janë përfshirë edhe familjet rezidente në Kosovë që nuk posedojnë leje zyrtare qëndrimi, por fëmijët e tyre ndjekin mësimin në shkollat e sistemit arsimor të Kosovës.
Sipas Ministrisë së Arsimit, edhe këta fëmijë do të përfitojnë nga subvencionimi, me qëllim që asnjë nxënës që ndjek mësimin në Kosovë të mos mbetet pa mbështetje për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore.
Të dhënat për nxënësit që nuk janë të regjistruar në sistem për shkak të mungesës së lejes së qëndrimit mund të dorëzohen përmes shkollave, në mënyrë fizike ose elektronike. Pas pranimit, të dhënat përpunohen dhe regjistrohen manualisht në sistem.
“Secili fëmijë që vijon mësimin në shkollat e Kosovës dhe është rezident në Kosovë, nuk do të mbetet pa u subvencionuar me tekste mësimore dhe materiale shkollore”, ka deklaruar Anita Kadriu, drejtore e Departamentit për Arsim Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.
Skema e subvencionimit është zgjeruar edhe për kategori të veçanta të nxënësve. Fëmijët me nevoja të veçanta do të përfitojnë mjete alternative didaktike, ndërsa mbështetja vazhdon edhe për nxënësit që ndjekin mësimin në Qendrën Korrektuese në Lipjan.
Ndërkohë, shuma përfundimtare që do të përfitojë secili nxënës ende nuk është përcaktuar. Kjo pritet të bëhet pas përfundimit të procesit të aplikimit dhe përcaktimit të numrit të saktë të nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.
Institucionet arsimore synojnë që procesi të përmbyllet para 1 shtatorit, në mënyrë që nxënësit të jenë të pajisur me tekstet dhe materialet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor.

Bizneset kosovare po zgjerojnë praninë e tyre në veri
Ramadani premton transparencë në hetimin për vrasjen e Arlinda Zekajt
Kurti fton diasporën në Francë të investojë në Kosovë
Gati tri dekada pas luftës, vetëm 77 persona të dënuar për krime lufte në Kosovë
Shqiptarët e Luginës votojnë për Këshillin Kombëtar, katër lista garojnë për 29 ulëse
Nisin punimet për fabrikën e municionit në Gjakovë
Policia e Kosovës synon rritjen e kapaciteteve profesionale përmes gradimeve të reja
Lista Studentore rrëzoi Vuçiqin, por jo retorikën nacionaliste ndaj Kosovës