Prishtinë, 9 nëntor 2026 13:00
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, ka deklaruar se synimi i Dardanëve është fitorja ndaj Izraelit, në përballjen e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në konferencën për media të mbajtur të hënën, Foda ka theksuar se objektivi kryesor i Kosovës që nga fillimi i këtij edicioni është ruajtja e statusit në Ligën B.
“Synimi ynë është gjithmonë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, por objektivi që nga fillimi ka qenë që në çdo rrethanë të mbetemi në Ligën B. Prandaj, ndeshja kundër Izraelit ka rëndësi shumë të madhe për ne dhe duam patjetër ta fitojmë”, ka deklaruar Foda.
Ai ka bërë të ditur se përfshirja e futbollistëve të rinj në Kombëtare është pjesë e përgatitjeve edhe për të ardhmen, veçanërisht për kualifikimet e Kampionatit Evropian të vitit të ardhshëm.
Sipas tij, stafi teknik po përcjell vazhdimisht futbollistët, pavarësisht kampionatit apo ligës ku ata aktivizohen, duke u kushtuar vëmendje edhe talenteve të reja që luajnë jashtë vendit.
Foda ka vlerësuar edhe nivelin e Superligës së Kosovës, duke veçuar Malishevën, Prishtinën dhe Dritën si tri skuadrat që aktualisht po spikasin në kampionat.
Ai ka theksuar se çdo futbollist që tregon paraqitje të mira dhe vazhdimësi mund të marrë ftesë në Kombëtaren e Kosovës.
Duke folur për përzgjedhjen e lojtarëve, Foda ka përmendur edhe Milot Rashicën, i cili, pavarësisht minutave të kufizuara te Besiktasi, sipas tij, ka dëshmuar se mund t’i japë energji dhe cilësi skuadrës.
Kosova do të përballet me Izraelin më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa më 17 nëntor do të luajë kundër Republikës së Irlandës në udhëtim, në dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.

Kosova me synime për dy sfidat e fundit në Ligën e Kombeve, publikohet lista
Kosova mëson kundërshtarët në Ligën e Kombeve, e presin tri përballje interesante
Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dabit
Ballkani triumfon bindshëm ndaj Drenicës
Nacionalizmi serb shfaqet edhe në futboll, tifozët e “Yllit të Kuq” djegin figurat e Kurtit dhe Thaçit
Barcelona-Real Madrid: ‘El Clasico’ që mund ta ndryshojë historinë
Kurti fton diasporën në Francë të investojë në Kosovë
Arkivat e Kosovës dhe Shqipërisë ruajnë dokumente shekullore, theksohet rëndësia e digjitalizimit
Hakerët zbulojnë humbjet ruse në Ukrainë, pretendohet se janë vrarë deri në 450 mijë persona