Prishtinë 10 gusht 2026 17:16
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të zhvilluara më 10 gusht 1998 në vise të ndryshme të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka kujtuar luftimet e ashpra të UÇK-së në dy skaje të vendit, nga Dukagjini deri në Kaçanik, duke nderuar luftëtarët që ranë në këto beteja.
“Në rajonin e Junikut, në përballje me forcat serbe, ranë Bekim Berisha Abeja nga Peja, Bedri Shala nga Drenica, Elton Zherka dhe Përmet Vula nga Gjakova. Eltoni dhe Përmeti ishin njëzet vjeç, Eltonit i mungonin nëntë ditë për t’i mbushur njëzet e një. Lufta i kishte bërë shokë dhe si shokë ranë, në të njëjtën ditë e në të njëjtin front”, ka thënë kryetarja Haxhiu.
Po atë ditë, ka shtuar ajo, në fshatin Shaptej të Deçanit, duke mbajtur vijën e pozicioneve, ra Jusuf Kelmendi nga Peja, luftëtar i Batalionit të Parë “Tigri”, ndërsa në të njëjtën ditë në betejën e zhvilluar në fshatin Gabrricë të Kaçanikut, ranë komandanti Agim Bajrami me bashkëluftëtarët Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca.
“Për këtë arsye 10 gushti shënohet edhe si Dita e Dëshmorëve të Brigadës 162 ‘Agim Bajrami’, e cila gjatë luftës dha 95 dëshmorë të lirisë. Tetë ushtarë, disa fronte, një ditë dhe një kauzë e vetme. Nga lufta e tyre dhe e mijëra të tjerëve na erdhi liria dhe mbi të u ngrit Republika jonë. Familjeve të tyre u shprehim mirënjohjen tonë më të thellë. Lavdi dëshmorëve të kombit”, ka thënë Haxhiu.

Shumë përfaqësues serb nga veriu janë thirrur si të pandehur për shkak të barrikadave gjatë vitit 2021
Nesër mbahet gjykimi në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejës
Ambasada Amerikane nderon Afrim Bunjakun: Autorët e sulmit në Banjskë duhet të mbajnë përgjegjësi
Vendoset në Banjskë gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjaku
Krerët e shtetit nderojnë heroin Afrim Bunjaku në trevjetorin e rënies
Tre vjet nga rënia e Afrim Bunjakut, Kosova e përkujton heroin e Policisë
Shqipëria për Banjskën: Nuk mund të ketë paqe dhe normalizim pa përgjegjësi