Prishtinë, 7 gusht 2026 15:05
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka deklaruar se pasivizimi i adresave mbetet një nga shkeljet më të rënda institucionale me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke theksuar se kjo çështje prej vitesh është trajtuar në nivel politik dhe diplomatik ndërkombëtar.
Sipas Sinanit, pasivizimi i adresave nuk është një temë e rastësishme dhe as një slogan politik, por një problem që është ngritur vazhdimisht në takime me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, shkruan Veritasinfo.
Ajo bëri të ditur se çështja është diskutuar me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, OSBE-së, Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Evropës, UNHCR-it, si dhe me ambasadorë e diplomatë të shumtë.
Sinani theksoi se pasivizimi i adresave është trajtuar edhe në takime me kongresmenët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, si dhe me drejtues të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe partnerë të tjerë evropianë e ndërkombëtarë.
“Pasivizimi është nxjerrë nga heshtja dhe është kthyer në çështje politike e ndërkombëtare. Sot, për të flitet në raporte, rezoluta, takime diplomatike dhe institucione ndërkombëtare”, u shpreh Sinani.
Ajo vlerësoi se angazhimi për këtë çështje ka qenë i vazhdueshëm, i dokumentuar dhe politikisht i qëndrueshëm, duke shtuar se mbrojtja e të drejtës për adresë, identitet dhe përkatësi është obligim politik dhe institucional.
“Kjo betejë do të vazhdojë deri në ndalimin e plotë të pasivizimit dhe rikthimin e çdo të drejte të mohuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, theksoi kryetarja e Preshevës.
Sinani njoftoi gjithashtu se në fotografitë e publikuara janë paraqitur një pjesë e takimeve dhe angazhimeve institucionale ku pasivizimi i adresave ka qenë temë diskutimi, duke i cilësuar ato si dëshmi konkrete të përpjekjeve të vazhdueshme për ndërkombëtarizimin e kësaj çështjeje.

Kurti: Kosova meriton statusin e vendit kandidat në BE, pozita aktuale nuk e pasqyron progresin e bërë
Lista Studentore distancohet nga Lista Serbe, reagon Von Cramon
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Pas 15 muajsh në burgun e Serbisë, lirohet Behar Preniqi nga Obiliqi
Kosova dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshje për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale
Forcohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në operacionet e kërkim-shpëtimit
Në Prilluzhë qytetari hedh në shitje shtëpinë për shkak të korrupsionit të Listës Serbe