Prishtinë, 24 korrik 2026 07:57
Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të cilët akuzohen për krime kundër popullatës civile në rajonin e Istogut, u dëgjua dëshmitari Gëzim Idrizaj, i cili deklaroi se gjatë luftës, shqiptarëve në Istog, Zoran Pantiqi (vëllai i të akuzuarit Momir) u kishte kërkuar të largoheshin, se të akuzuarin e njihte si komandant të Policisë në këtë komunë dhe që e kishte parë të uniformuar.
Dëshmitari Idrizaj konfirmoi se kishte dhënë deklaratë në Polici dhe tha se i qëndron asaj, ndonëse nuk i kujtohej data kur ishte intervistuar.
Idrizaj deklaroi se gjatë luftës së bashku me familjen, ishte larguar fillimisht në bjeshkë ku kishte qëndruar rreth shtatë ditë. Më pas, ishin dërguar në Dushanovë, ku kishin qëndruar tri ditë e tri net, ndërsa më vonë ishin kthyer në Istog.
Ai tha se fillimisht ishin vendosur në një shkollë e më pas në oborrin e familjes Alushaj, ku sipas tij, kishin qëndruar rreth tri javë.
Dëshmitari deklaroi se më pas ushtria i kishte dërguar në burg, ku kishte qëndruar rreth një javë.
Sipas tij, urdhri për largimin e shqiptarëve ishte përcjellë nga Zoran Pantiq përmes Zenun Loshit.
Po ashtu, ai deklaroi se gjatë zhvendosjes së popullsisë civile ata ishin vazhdimisht nën mbikëqyrjen e forcave policore dhe se kolonës i printe një veturë e policisë.
Dëshmitari Idrizaj tha se gjatë asaj periudhe kishte parë edhe forca ushtarake dhe paramilitare, të cilat sipas tij, njiheshin si “forcat e Arkanit”.
I pyetur nga prokurori Armend Zenelaj se kush kishte qenë shef i stacionit policor në Istog në atëkohë, Idrizaj u përgjigj se sipas asaj që kishte dëgjuar, ishte Momir Pantiq.
Idrizaj tha se të akuzuarin Pantiq e njihte, pasi babai i të akuzuarit kishte një lokal në Istog, por tha se nuk kishte pasur komunikim personal me të.
Ai deklaroi se pas luftës e kishte parë Pantiqin në qendër të Istogut dhe kishte dëgjuar se ndaj tij ishte kryer një sulm me armë zjarri, por tha se nuk kishte njohuri nëse ai kishte pasur probleme me shqiptarët.
I akuzuari Momir Pantiq e pyeti dëshmitarin nëse gjatë lëvizjes nga mali drejt Istogut kishte pasur tentativa nga ushtarët ose civilët për t’ua marrë traktorët. Por, Idrizaj tha se deri në Rakosh nuk kishte pasur raste të tilla.
“99 për qind të kam pa në uniformë”, tha Idrizaj për Pantiqin.
Idrizaj deklaroi se Zoran Pantiq ia kishte përcjellë urdhrin për dëbimin e shqiptarëve Zenun Loshajt, ndërsa ky i fundit ua kishte treguar banorëve.
Megjithatë, Idrizaj tha se nuk mund të thotë me siguri se nga kush ishte dhënë urdhri, por se banorëve u ishte thënë të largoheshin pasi nuk kishin më siguri.
Ai tha se kishte dëgjuar që Momir Pantiqi ishte komandant i policisë në Istog ngase në lokalin e babait të Pantiqit njerëzit i drejtoheshin me fjalën “komandant” e “naçallnik”.
Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues, Donikë Shala-Abdyli njoftoi se dëshmitari Shkumbin Pepaj ka deklaruar se jeton në Gjermani dhe se nuk do jetë në Kosovë gjatë muajve të tjerë perveç gushtit , dhe kishte bërë të ditur se nuk mund të paraqitet në gjykatë, ndërsa Ramdan Manaj kishte njoftuar gjykatën se ka probleme shëndetësore.
Si dhe theksoi se familjarët e deshmitares Hava Abdyli kanë deklaruar se ajo nuk mund të marrë pjesë në seancë.
Paraprakisht, prokurori Armend Zenelaj tha se në këtë rast janë propozuar 27 dëshmitarë, shtatë prej të cilëve janë dëshmitarë të mbrojtur. Ai kërkoi që fillimisht të dëgjohen këta dëshmitarë dhe më pas të vendoset nëse do të vazhdohet me dëgjimin e tjerëve.
I akuzuari Momir Pantiq propozoi si dëshmitarë priftin Don Sopi nga Zllakuqani dhe Bekim Blakajn dhe Natasha Kandiqin.
Pantiq deklaroi se Don Sopi mund të dëshmojë se ai kishte ndihmuar në zhvendosjen e shqiptarëve nga Gurrakoci në Zllakuqan gjatë luftës, ndërsa për Bekim Blakajn dhe Natasha Kandiqin tha se kishte bashkëpunuar me ta në çështjen e personave të zhdukur.
Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Zharko Zariq, avokati Dejan Vasiq, tha se kishte dorëzuar kërkesë me shkrim për dëgjimin e pesë dëshmitarëve që kishin dhënë deklarata gjatë hetimeve, si dhe propozoi tre dëshmitarë të tjerë.
Ai kërkoi që tre prej tyre të dëgjohen pa praninë e publikut, duke thënë se bëhet fjalë për fqinj të të akuzuarit Zharko Zariq.
Prokurori Zenelaj deklaroi se Prokuroria nuk i kundërshton propozimet e mbrojtjes për dëgjimin e dëshmitarëve.
Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.
Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.
Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut.

Kosova intensifikon gjykimet për krime lufte, por Serbia vazhdon t’i strehojë të akuzuarit
Kosova përgatit konkurs për prokurorë të rinj nga komuniteti serb
Prokuroria: Vrasja e rreshterit Muhamet Lika ishte e planifikuar
Në Kroaci zbulohet pllaka përkujtimore për dhjetë viktimat e aksidentit tragjik të vitit 2021
Bie numri i familjeve që jetojnë me asistencë sociale në Kosovë
Deklarohet i pafajshëm ish-pjesëtari të MUP-it serb i akuzuar për krime lufte në Vushtrri
FAZ publikoi një hulumtim mbi përfshirjen e Vuçiçit në luftë në Sarajevë
Dëshmitari deklaron se të akuzuarin Momir Pantiq e kishte parë me uniformë dhe se vëllai i tij ua përcolli urdhrin civilëve të largoheshin nga Istogu
Ballkani pëson humbje, por gjithçka do të vendoset në Prishtinë