Prishtinë, 24 korrik 2026 08:49
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka njoftuar se mbrojtja e resurseve ujore mbetet një nga prioritetet kryesore institucionale, ndërsa ka paralajmëruar vazhdimin e aksioneve për lirimin e pronave ujore të uzurpuara dhe largimin e ndërtimeve pa leje në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas ministrisë, tashmë ka nisur trajtimi i kërkesave të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike për kthimin në administrim të pronave ujore që janë uzurpuar ose tjetërsuar në kundërshtim me ligjin, përcjell Veritasinfo.
Ministria rikujtoi aksionin e zhvilluar së fundmi në zonën e Liqenit të Ujmanit, ku me asistimin e Inspektoratit të MMPH-së dhe Policisë së Kosovës u rrënuan 16 objekte të ndërtuara pa leje në prona ujore që administrohen nga Ndërmarrja Publike “Ibër-Lepenci”. Sipas njoftimit, të gjitha palët e përfshira ishin njoftuar paraprakisht në përputhje me procedurat ligjore.
Është bërë të ditur se tani vëmendja është përqendruar edhe te zonat përreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit, të cilat janë burime kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm. Inspektorati i ministrisë po identifikon shkeljet dhe ndërtimet pa leje në këto zona, ndërsa pas përfundimit të verifikimeve do të ndërmerren masa ligjore për lirimin e hapësirave të uzurpuara.
Ministria thekson se monitorimi do të vazhdojë edhe në zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, duke shtuar se do të zbatojë ligjin në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për të mbrojtur resurset ujore dhe natyrore nga uzurpimet dhe ndërtimet e paligjshme.

Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, nëntë ditë pas ngjarjes
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë