Prishtinë, 11 korrik 2026 09:12
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje që gjenocidi në Srebrenicë të mos harrohet dhe të mos relativizohet, duke theksuar se pranimi i së vërtetës është kusht për drejtësi dhe paqe të qëndrueshme.
Në akademinë përkujtimore të mbajtur në Institutin e Historisë në Prishtinë, me rastin e 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, Kurti tha se masakra e 11 korrikut 1995 është një e vërtetë historike, juridike dhe njerëzore e vërtetuar nga drejtësia ndërkombëtare.
Ai theksoi se gjenocidi ishte rezultat i një politike të spastrimit etnik dhe paralajmëroi se krime të tilla nuk fillojnë me armë, por me propagandë, gjuhë të urrejtjes dhe mohimin e tjetrit.
Sipas Kurtit, mohimi i gjenocidit nuk është çështje interpretimi politik, por sulm ndaj fakteve, drejtësisë dhe mundësisë për paqe. Ai shtoi se relativizimi i krimeve krijon terren për përsëritjen e tyre.
Kryeministri në detyrë deklaroi se Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të distancohet qartë nga ideologjia që, sipas tij, mundësoi gjenocidin, duke theksuar se pranimi i së vërtetës dhe pendimi janë elemente të domosdoshme për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme në rajon.
Duke folur për Kosovën, Kurti tha se qytetarët e saj e njohin dhimbjen e spastrimit etnik, varrezave masive dhe personave të zhdukur me dhunë, prandaj solidariteti me popullin boshnjak është, sipas tij, i natyrshëm dhe buron nga përvoja e përbashkët.
Në fund të fjalës së tij, ai u bëri homazhe viktimave të Srebrenicës, familjeve të tyre dhe popullit boshnjak, duke theksuar se kujtesa për Srebrenicën duhet të mbetet një thirrje e përhershme për drejtësi, dinjitet dhe mbrojtjen e lirisë.

Akuzat për spiunazh, Prokuroria: Shabani dhe Qerimi bashkëpunuan me BIA-n
Jagxhiu: Internet falas në 43 lokacione publike në 33 komuna të Kosovës
Murati: Kosova ul kufirin e pagesave me para të gatshme për të parandaluar financimet e paligjshme
Kosova dhe Maqedonia e Veriut synojnë thellimin e bashkëpunimit në bujqësi dhe siguri ushqimore
Në Leposaviq gjenden armë e pajisje ushtarake
Gjykimi për krime lufte, dëshmitarja rrëfen keqtrajtimin gjatë luftës
Vëlla e motër, viktimat e krimit të sotëm në Gjilan
Shiroka Pula dhe Jashari diskutojnë për sigurinë në Kosovë
Dy të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari dorëzohet në Polici