Prishtinë, 10 korrik 2026 19:02
Marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës për dhënien me qira të kapaciteteve korrektuese pritet t’i sjellë Kosovës përfitime financiare prej rreth 210 milionë eurosh, ndërsa të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të transferohen në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan në mesin e vitit 2027.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i cili njoftoi se në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan ka nisur procesi i përshtatjes së objektit sipas standardeve të sistemit danez të burgjeve, në kuadër të marrëveshjes që ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2024.
Sipas Dibranit, planifikimi fillestar është që transferimi i të burgosurve të nisë në prill të vitit 2027, por afati do të varet nga përfundimi i punimeve dhe procedurat në Danimarkë.
“Po shpresojmë që jo më gjatë se mesi i vitit 2027 të pranohen të burgosurit e parë”, tha ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Ai bëri të ditur se në qendrën në Gjilan po ndërtohen punëtori ku të burgosurit do të angazhohen në punë, ndërsa po realizohen edhe investime në logjistikë dhe teknologji për ta përshtatur institucionin me standardet daneze.
Dibrani tha se zyrtarët korrektues të Kosovës që do të punojnë në këtë qendër po trajnohen në Danimarkë për t’u njohur me rregullat e shërbimit korrektues danez. Sipas tij, grupi i parë e ka përfunduar tashmë trajnimin, ndërsa grupi i dytë është duke e vijuar atë.
Ai sqaroi se stafi do të ketë të njëjtat paga si zyrtarët e tjerë korrektues në Kosovë, ndërsa trajnimet kanë për qëllim vetëm përshtatjen me procedurat daneze.
Sipas marrëveshjes, në Kosovë do të transferohen të burgosur nga shtete të treta që vuajnë dënime në Danimarkë, të cilët nuk janë dënuar me më shumë se 10 vjet burg. Në këtë program nuk do të përfshihen persona të dënuar për terrorizëm apo të burgosur me probleme të rënda shëndetësore.
Dibrani bëri të ditur se nga vlera e përgjithshme e marrëveshjes, rreth 5 milionë euro tashmë janë derdhur në buxhetin e Kosovës.
Ai shtoi gjithashtu se, pas zhvendosjes së të burgosurve nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan në institucione të tjera korrektuese, sistemi korrektues i Kosovës ka rreth 400 vende të lira, duke theksuar se ka kapacitete të mjaftueshme për zbatimin e marrëveshjes.

Akuzat për spiunazh, Prokuroria: Shabani dhe Qerimi bashkëpunuan me BIA-n
Jagxhiu: Internet falas në 43 lokacione publike në 33 komuna të Kosovës
Murati: Kosova ul kufirin e pagesave me para të gatshme për të parandaluar financimet e paligjshme
Kosova dhe Maqedonia e Veriut synojnë thellimin e bashkëpunimit në bujqësi dhe siguri ushqimore
Në Leposaviq gjenden armë e pajisje ushtarake
Gjykimi për krime lufte, dëshmitarja rrëfen keqtrajtimin gjatë luftës
Vëlla e motër, viktimat e krimit të sotëm në Gjilan
Shiroka Pula dhe Jashari diskutojnë për sigurinë në Kosovë
Dy të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari dorëzohet në Polici