Prishtinë, 8 korrik 2026 07:28
Edhe 26 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, rreth 1,560 persona vazhdojnë të mbesin të zhdukur. Deklaratat e fundit të themelueses së Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, e cila ngriti dyshime për ekzistencën e një varri masiv në kompleksin ushtarak të Pasuljanske Livade në Serbi, kanë rikthyer në fokus çështjen e personave të zhdukur.
Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se çdo informacion që mund të ndihmojë në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur trajtohet me seriozitet nga institucionet.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur trajton me seriozitet çdo informacion që mund të ndihmojë në ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë. Edhe lokacioni i përmendur ka qenë dhe mbetet pjesë e vëmendjes institucionale, krahas një numri lokacionesh të tjera me interes në territorin e Serbisë”, deklaroi Gara.
Ai theksoi se Komisioni vazhdon angazhimin përmes mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë që çdo informacion relevant të trajtohet me prioritet.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në vazhdimësi angazhohet përmes mekanizmave përkatës vendorë dhe ndërkombëtarë që çdo informacion relevant të trajtohet me prioritet. Dhe në këtë kuadër, mbetet me rëndësi zbatimi i plotë i obligimeve të marra në Deklaratën e Përbashkët për Personat e Zhdukur të 2 majit 2023, përmes të cilës institucionet e Serbisë obligohen që krahas hapjes së arkivave, ndër të tjera, të bashkëpunojnë në identifikimin e lokacioneve të varrezave masive dhe lejimin e gërmimeve vlerësuese”, u shpreh ai.
Sipas Garës, çdo informacion i ri duhet t’i nënshtrohet verifikimit profesional në terren.
“Përvoja gjatë këtyre 27 viteve të pasluftës dhe konfirmimi deri më tani i pesë varrezave masive në territorin e Serbisë, ka treguar se objekte dhe struktura nën kontrollin e aparatit shtetëror serb janë përdorur për fshehjen e trupave të viktimave të luftës. Për këtë arsye, çdo informacion i ri duhet t’i nënshtrohet vlerësimit profesional dhe gërmimeve në terren. E në veçanti lokacione të tilla si ‘Pasuljanske Livade’, që në të njëjtën kohë paraqet sfidë të veçantë për shkak të përmasave të kompleksit ushtarak, qasjes së kufizuar dhe mungesës së dokumentacionit relevant nga arkivat e ish-Ushtrisë Jugosllave dhe institucioneve të Serbisë, që do të mundësonte verifikim më efikas”, ka thënë Gara.

Kamberi kërkon nga qeveria e re e Serbisë njohjen e diplomave të Kosovës
Kosova kalon në pagesa të shpejta, paratë do të transferohen 24/7
Nis rrënimi i gjashtë objekteve pa leje në zonën e Liqenit të Ujmanit
Kurti: Strukturat paralele në veri janë shkatërruar, 29 rrugë ilegale janë mbyllur
Miratohet në parim Projektbuxheti për vitin 2027
4.27 miliardë euro buxhet për 2027, paga e 13-të dhe 908 milionë euro për komunat
Rusia rrit tensionet me NATO-n, Aleanca mblidhet pas incidentit në Poloni
Ballkani mposht Gjilanin me përmbysje
Vdekje në vendin e punës në Istog, Prokuroria nis hetimet
Sveçla: Fabrika e municionit, dëshmi e partneritetit strategjik Kosovë–Turqi