Prishtinë, 03 Korrik 2026 12:28
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, kanë lëshuar dy skema grantesh për mbështetjen e bizneseve: skemën për inovacion dhe skemën për energji të pastër, me një buxhet të përgjithshëm prej mbi 2 milionë eurosh.
Skema për inovacion, me buxhet prej 1.16 milionë eurosh, synon të mbështesë zhvillimin e produkteve, shërbimeve dhe proceseve inovative në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), ndërsa skema për energji të pastër, me buxhet prej 880 mijë eurosh, do të financojë investimet në sisteme solare, efiçiencë energjetike dhe pajisje që ulin konsumin e energjisë në ndërmarrje.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, prezantoi skemën për inovacion, e cila do të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Qëllimi i kësaj skeme është të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme si dhe bizneset start-up për zhvillimin e produkteve, shërbimeve ose proceseve inovative në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Objektivi kryesor i kësaj thirrjeje është të nxisë idetë inovative që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e eksporteve dhe forcimin e kapaciteteve inovative të sektorit të TIK-ut. Në këtë thirrje mund të aplikojnë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të regjistruara deri më 31 dhjetor 2020, si dhe bizneset start-up të regjistruara nga 1 janari 2021 deri më 31 dhjetor 2025. Buxheti total i kësaj skeme është 1.160.000 euro, nga të cilat 760.000 euro janë të dedikuara për ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, ndërsa 400.000 euro për bizneset start-up. Nga ky total, MINTI ka kontribuar me 600.000 euro, ndërsa LuxDev me 560.000 euro”, tha ajo.
Kusari-Lila shpjegoi edhe mënyrën e financimit të projekteve.
“Për lotin e parë, granti mbulon deri në 50 për qind të kostos së projektit, me një financim minimal prej 30.000 eurosh e maksimal prej 50.000 eurosh. Pjesa tjetër e financimit duhet të sigurohet nga vetë aplikuesit. Për lotin e dytë, granti mbulon deri në 80 për qind të kostos së projektit, me një financim nga 15.000 euro deri në 25.000 euro, ndërsa aplikuesit duhet të kontribuojnë me të paktën 20 për qind të vlerës së projektit. Projektet që financohen duhet të paraqesin inovacion në fushën e TIK-ut. Kjo përfshin zhvillimin e aplikacioneve softuerike, inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, blockchain, analizën e të dhënave, automatizimin e proceseve, platformat e bashkëpunimit online, sistemet e menaxhimit të biznesit dhe teknologji të tjera moderne. Është e rëndësishme të thuhet se pajisjet e financuara duhet të jenë të reja dhe nuk mund të shiten për një periudhë prej tre vjetësh pas nënshkrimit të kontratës”, tha ajo.
Sa i përket aplikimit, Kusari-Lila shpjegoi procesin.
“Procesi i aplikimit zhvillohet vetëm përmes platformës e-Kosova. Aplikuesit duhet të dorëzojnë të gjitha dokumentet e kërkuara, përfshirë certifikatën e biznesit, certifikatën tatimore, dëshminë për llogarinë bankare, raportet financiare, propozimin e projektit sipas formularit zyrtar dhe një video-prezantim deri në dy minuta, i cili shpjegon idenë e projektit. Pagesa realizohet në dy këste: 80 për qind e grantit jepet paraprakisht pas nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe dhe dorëzimit të garancisë bankare, ndërsa 20 për qind e mbetur paguhet pas përfundimit të suksesshëm të projektit dhe miratimit të raportit përfundimtar”, tha ajo.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, prezantoi skemën për energji të pastër, e cila do të mbështesë investimet e reja.
“Sot po e lansojmë fazën e dytë me një skemë të ngjashme, me një buxhet prej 380.000 eurosh për të mbështetur investimet e reja. Përmes kësaj skeme, ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë grante deri në 25.000 euro në total. Masa e parë mbështet sistemet solare fotovoltaike dhe bateritë. Nëse një biznes e ka sistemin solar fotovoltaik, por nuk ka bateri, mund të përfitojë vetëm për baterinë. Këto sisteme ose sistemet solare termike mbështeten në masën 40 për qind të vlerës së investimit. Masa e dytë ka të bëjë me efiçiencën në ndërtesa, ku përfshihet izolimi i mureve, çative, dyert dhe dritaret e reja efiçiente. Kjo masë mbështetet në masën prej 30 për qind të vlerës së investimit, ndërsa masa e tretë mbështet bizneset për të blerë pajisje që i bëjnë linjat e tyre të prodhimit më efiçiente, sikurse janë inverterët me frekuencë të ndryshueshme, dhe këto mbështeten me grant prej 70 për qind.
Nëse një biznes aplikon për një masë, mund të përfitojë grant deri në 20.000 euro. Mirëpo, masa e tretë, inverterët që i përmenda ose pajisjet e ngjashme, mund të kombinohen me masën një ose dy. Pra, bizneset mund të aplikojnë edhe për sistem solar fotovoltaik ose termik të kombinuar me inverter, ose për izolim të ndërtesës të kombinuar me inverter, por dy masat e para nuk mund të kombinohen. Në rast se kombinohet masa një ose dy me masën tre, atëherë vlera totale e grantit mund të arrijë deri në 25.000 euro”, tha ajo.
Rizvanolli theksoi se përparësi do të kenë bizneset që janë në tregun e hapur të energjisë dhe nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara.
“Një gjë tjetër e rëndësishme për t’u theksuar është se një përparësi në këtë skemë do ta kenë bizneset të cilat janë tashmë në treg të hapur të energjisë, pra nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara. Mirëpo kjo nuk do të thotë që prodhuesit e tjerë nuk mund të aplikojnë dhe nuk mund të jenë të suksesshëm në këtë konkurrencë”, tha ajo.
Ajo shpalosi edhe kushtet që duhet t’i plotësojnë bizneset për t’u kualifikuar për grant.
“Për t’u kualifikuar për grantin, bizneset duhet të plotësojnë të gjitha kushtet në vijim: të jenë të regjistruara si ndërmarrje të sektorit privat nga 1 janari 2024 ose më herët, në përputhje me legjislacionin në fuqi në Kosovë; të jenë kompani prodhuese ose përpunuese. Domethënë, skema dedikohet për prodhuesit dhe nuk mund të përfshihen kompanitë tregtare ose shërbyese, pasi kompanitë prodhuese zakonisht një pjesë më të madhe të shpenzimeve të tyre e kanë për energji. Gjithashtu, të gjitha ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme prodhuese ose përpunuese kualifikohen për aplikim, si edhe kompanitë prodhuese ose përpunuese që nuk furnizohen me energji elektrike sipas tarifave të rregulluara, pra që janë në tregun e liberalizuar. Thirrja do të shpallet në ditët në vijim në e-Kosova, ndërsa afati për aplikim do të jetë 15 ditë pune”, tha Rizvanolli.
I ngarkuari me punë i Dukatës së Madhe të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, tha se LuxDev do të vazhdojë të mbështesë bizneset që të rriten dhe të jenë më të qëndrueshme.

Sukses në QKUK: Hiqet një tumor i rrallë te një foshnjë vetëm njëjavëshe
Haxhiu dhe Bashkim Jashari presin Albin Kurtin në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të FSK-së
Edhe në rigjykim, Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burgim për krime lufte në Saradran të Istogut
Sot mbahet seanca e radhës ndaj Ekrem Bajroviqit, i akuzuar për krime lufte
Muja: Çdo pronë e uzurpuar do t`i kthehet Ministrisë
Kurti pret delegacionin amerikan, diskutohet thellimi i bashkëpunimit në fusha strategjike
12 kadetë të FSK-së diplomojnë dhe betohen si oficerët më të rinj të forcës
Mbi 1.5 milionë euro grante për biznese, lansohen skemat për inovacion dhe energji të pastër
Çoroviq: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran