Prishtinë, 26 qershor 2026 15:26
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) vazhdon të jetë institucioni me nivelin më të lartë të besimit nga qytetarët, sipas rezultateve të Anketës Rajonale ëeBalkans 2026.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes, FSK-ja ka marrë 87.4 për qind të besueshmërisë qytetare, duke u renditur jo vetëm si institucioni më i besueshëm në Republikën e Kosovës, por edhe si forca ushtarake me përkrahjen më të lartë qytetare në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar se ky rezultat paraqet një dëshmi për punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të FSK-së.
“Ky sukses është meritë e çdo ushtaraku, nënoficeri, oficeri dhe pjesëtari të personelit civil të FSK-së, të cilët me përkushtim, disiplinë dhe integritet i shërbejnë vendit çdo ditë. Një falënderim i veçantë i takon Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit, dhe Shtabit të Përgjithshëm për udhëheqjen profesionale dhe të përgjegjshme, si dhe përkushtimin në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së, në bashkëpunim me të gjithë personelin e saj”, ka shkruar ministri.
Sipas Maqedoncit, ky vlerësim i takon çdo pjesëtari të FSK-së, përfshirë ushtarët, nënoficerët, oficerët dhe personelin civil, të cilët, sipas tij, kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit.
Maqedonci ka theksuar se Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojë punën për modernizimin dhe transformimin e FSK-së, në përputhje me standardet e NATO-s dhe objektivat strategjike të Kosovës.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për një Kosovë më të sigurt, më të mbrojtur dhe gjithnjë e më të gatshme për të përmbushur detyrat në kuadër të misionit të saj dhe aspiratën strategjike të Republikës sonë për anëtarësim në NATO”, është shprehur Maqedonci.

Shumë përfaqësues serb nga veriu janë thirrur si të pandehur për shkak të barrikadave gjatë vitit 2021
Nesër mbahet gjykimi në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejës
Ambasada Amerikane nderon Afrim Bunjakun: Autorët e sulmit në Banjskë duhet të mbajnë përgjegjësi
Vendoset në Banjskë gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjaku
Krerët e shtetit nderojnë heroin Afrim Bunjaku në trevjetorin e rënies
Tre vjet nga rënia e Afrim Bunjakut, Kosova e përkujton heroin e Policisë
Shqipëria për Banjskën: Nuk mund të ketë paqe dhe normalizim pa përgjegjësi