Prishtinë, 8 nëntor 2026 14:00
Vonesat në procesin e gradimeve në Policinë e Kosovës po krijojnë zbrazëti në zinxhirin komandues dhe po ndikojnë në funksionimin e institucionit. Ekspertët e sigurisë dhe ish-zyrtarët policorë kërkojnë që procedurat për avancimin e zyrtarëve të përmbyllen sa më shpejt, duke paralajmëruar se mungesa e kuadrove në pozitat udhëheqëse mund të ketë pasoja për sigurinë publike dhe atë nacionale.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, aktualisht janë 799 zyrtarë me gradën e rreshterit dhe 292 me gradën e togerit. Megjithatë, në të dyja këto grada vazhdojnë të ketë pozita të lira, të cilat në disa raste mbulohen nga zyrtarë me grada më të ulëta, në cilësinë e ushtruesve të detyrës.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, vlerëson se rreshterët dhe togerët kanë rol kyç në funksionimin e strukturës organizative të Policisë, veçanërisht në aspektin operativ dhe taktik.
Sipas tij, mungesa e këtyre kuadrove krijon zbrazëti në përgjegjësi dhe llogaridhënie, pasi një pjesë e funksioneve mbulohen nga ushtrues detyre.
Shala thekson se rreshterët janë ndër zyrtarët e parë që dalin në vendin e ngjarjes dhe kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për policët në terren, ndërsa togerët udhëheqin sektorë dhe stacione policore, përfshirë edhe sektorët e hetimeve.
Ai kërkon që Ministria e Punëve të Brendshme dhe struktura udhëheqëse e Policisë së Kosovës ta përmbyllin sa më parë procesin e gradimeve.
Shala ka kritikuar edhe praktikën e mbajtjes së pozitave me ushtrues detyre për periudha të gjata, duke e cilësuar atë si neglizhencë menaxheriale që dobëson llogaridhënien institucionale.
Edhe ish-eprori i Policisë së Kosovës, Refki Morina, vlerëson se gradimet janë të domosdoshme për mbulimin e vendeve të lira dhe funksionimin e duhur të stacioneve policore dhe strukturave rajonale.
Ai thotë se mungesa e rreshterëve bën që përgjegjësitë të ushtrohen edhe nga zyrtarë që nuk e kanë kaluar këtë gradë, gjë që, sipas tij, ndikon në profesionalizmin dhe rezultatet e Policisë.
Morina thekson se mungesa e gradimeve nuk prek vetëm pozitën e rreshterit dhe togerit, por edhe gradat e tjera udhëheqëse, përfshirë kapitenin, majorin dhe kolonelin.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pozita të lira ka në të dyja gradat, veçanërisht në departamentet me numër më të madh të personelit, siç është Departamenti i Rendit Publik.
Sipas Policisë, zëvendësimi i përkohshëm i pozitave të lira me zyrtarë të gradave më të ulëta lejohet me udhëzim administrativ, për shkak të nevojave operative dhe menaxheriale.
Policia ka sqaruar gjithashtu se konkurset e shpallura për gradime janë anuluar në bazë të procedurave dhe vendimeve përkatëse.
Procesi i gradimeve është përcjellë me pengesa edhe në vitet e kaluara. Në shkurt të vitit 2024 ishte shpallur konkursi për 350 pozita të rreshterëve, por ai ishte anuluar në korrik të po atij viti pas gjetjeve të Inspektoratit Policor për parregullsi në zbatimin e kritereve të konkurrimit.
Ndërsa në maj të vitit 2026 ishte shpallur konkursi për 157 pozita të togerëve, por procesi ishte kontestuar në gjykatë për shkak të dispozitave të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026.
Gjykata Supreme, me aktgjykimin P.A.nr.16/2026, e kishte shfuqizuar në tërësi këtë udhëzim administrativ.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2025, gjatë atij viti ishin evidentuar 391 zyrtarë policorë që ushtronin funksione për të cilat kërkohej gradë më e lartë se ajo që posedonin. Në vitin 2024, ky numër ishte 341.

Kurti: 20 baza policore janë ndërtuar e fuqizuar në veri të Kosovës
397 kadetë diplomojnë në Policinë e Kosovës, Kurti e Haxhiu me mesazhe për gjeneratën e re
Forcohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në operacionet e kërkim-shpëtimit
Sveçla: Kosova mbetet partner serioz i Europol-it
Pesë kadetë të FSK-së diplomojnë në akademitë ushtarake të Gjermanisë, do t’i bashkohen trupës së oficerëve
Maqedonci në konferencën e sigurisë në Berlin, në fokus kërcënimi nga Rusia
Ekspertët kërkojnë përshpejtimin e gradimeve në Polici
Ndryshimet në Beograd mund të godasin rrjetin e Listës Serbe dhe strukturat paralele në Kosovë
Shqiptarët e Luginës votojnë për Këshillin Kombëtar, katër lista garojnë për 29 ulëse
Eisenkot merr mandatin për formimin e qeverisë në Izrael, Netanyahu rrezikon humbjen e pushtetit