Prishtinë, 29 maj 2026 11:20
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, ka paralajmëruar se procesi i ardhshëm zgjedhor në Kosovë mund të përballet me ndërhyrje të jashtme, dezinformim, presione politike dhe kërcënime hibride, duke theksuar se integriteti zgjedhor duhet të shihet si pjesë e sigurisë kombëtare.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Fetoshi tha se ndërhyrjet në proceset zgjedhore janë bërë gjithnjë e më shqetësuese, sidomos në kontekstin e luftës hibride dhe qëllimeve të akterëve që synojnë destabilizimin e demokracive.
“Proceset zgjedhore janë target i aktiviteteve ndërhyrëse malinje, për shkak se ato përfaqësojnë ndoshta dimensionin më vital të funksionalitetit të demokracisë”, deklaroi Fetoshi.
Sipas tij, në rastin e Kosovës, rreziku është edhe më specifik për shkak të raportit me Serbinë dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Beogradit për të ndikuar në zhvillimet politike dhe institucionale në vend.
“Ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë i përfshijnë të gjithë ekosistemin, edhe në nivelin politik, edhe në nivelin informativ, edhe në atë të sigurisë”, tha ai.
Fetoshi theksoi se një prej objektivave kryesore të Serbisë është kontrolli i përfaqësimit politik të komunitetit serb në Kosovë.
“Qëllimi strategjik i Serbisë kundër Kosovës është që të mos e lejojë pluralizmin demokratik te komuniteti serb. Të kontrollojë votën e qytetarëve serbë, e cila duhet të përqendrohet vetëm te Lista Serbe”, u shpreh ai.
Ai shtoi se, sipas tij, Lista Serbe përfaqëson politikat e Beogradit në Kosovë.
“Lista Serbe është subjekt përfaqësues i politikave të Beogradit kundrejt Kosovës”, tha Fetoshi.
Duke folur për format e presionit, Fetoshi përmendi shantazhin, kërcënimet, frikësimin, largimet nga puna dhe presionet fizike ndaj rivalëve politikë të Listës Serbe.
“Historia e ndërhyrjeve të Serbisë në zgjedhjet në Kosovë është e dhunshme”, deklaroi ai.
Fetoshi foli edhe për propagandën dhe narrativat që, sipas tij, përdoren nga Serbia kundër Kosovës, duke thënë se ato shpesh synojnë ta paraqesin Kosovën si kërcënim për serbët.
“Propaganda serbe është e stërmbushur me fabrikime kinse të incidenteve ndëretnike, në funksion të narrativës së tyre që regjimi në Prishtinë po angazhohet për ta bërë të padurueshme jetën për serbët në Kosovë”, tha Fetoshi.
Sipas tij, këto narrativa kanë për qëllim nxitjen emocionale të qytetarëve serbë dhe krijimin e mosbesimit ndaj institucioneve të Kosovës.
“Në kuptimin narrativ, ata vazhdimisht kanë përdorë edhe instrumentet e spiunazhit, edhe rrjetet që i kanë këtu”, shtoi ai.
Fetoshi tha se Kosova ka nevojë për mekanizma më të fuqishëm institucionalë kundër dezinformimit, duke përmendur nevojën për një qendër nacionale kundër dezinformimit.

Kongresmeni republikan Wilson: Serbia nën Vuçiqin po kërcënon stabilitetin e rajonit
Kryeministri britanik: Mbesim mbështetës të fortë të aspiratave euro-atlantike të Kosovës
Kurti: Diskutimet do të vazhdojnë, për herë të parë kemi folur pë emra të përveçëm
Kurti nga RMV: Një hap i ri drejt lidhjes Kosovë-Maqedoni e Veriut
Kamberi kritikon Vuçiqin për gjuhën antishqiptare: “A është fyerja ndaj shqiptarëve parakusht për punësim në BIA?”
Kurti: Qëndrimi i Ukrainës për Kosovën nuk qëndron përballë fakteve
Maqedonci bisedoi ne Atienza-n për sigurinë dhe koordinimin me NATO-n
Akil Gjakova fiton me hedhje të bukur
Kadetët e FSK-së marrin pjesë në Javën Ndërkombëtare të Kadetëve në Gjermani
Pas aktgjykimit lirues për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, Kryeprokurori kërkon raport nga Prokuroria e Pejës