Prishtinë, 26 nëntor 2026 1t:30
Në Gjykatën e Apelit të enjten është shqyrtuar ankesa ndaj aktgjykimit me të cilin Shaqir Lutvija është dënuar me 10 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare në Prizren.
Mbrojtja e Lutvijës ka kërkuar që ai të lirohet nga akuza ose t’i zbutet dënimi, ndërsa Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa të refuzohet dhe të vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Avokatja mbrojtëse, Jovana Filipoviq, ka pretenduar se gjatë rigjykimit Gjykata Themelore nuk i ka respektuar udhëzimet e Gjykatës së Apelit, e cila më herët e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Sipas saj, janë bërë shkelje procedurale, përfshirë refuzimin e administrimit të disa provave të propozuara nga mbrojtja dhe parregullsitë në procedurën e identifikimit të të akuzuarit përmes fotografive.
Ajo ka kundërshtuar edhe mënyrën se si Prokuroria e ka përshkruar rolin e Lutvijës në ngjarjet për të cilat akuzohet, duke theksuar se dëshmitarët kishin deklaruar se ishin keqtrajtuar nga një inspektor me rroba civile.
Mbrojtja ka vënë në pah edhe faktin se Prokuroria gjatë rigjykimit kishte hequr dorë nga akuza për vrasjen e Ramadan Jakupit, por Gjykata Themelore megjithatë kishte shqiptuar të njëjtin dënim prej 10 vjetësh burgim.
Nga ana tjetër, prokurorja e Apelit, Sabahate Hoxha-Pepaj, ka deklaruar se qëndron prapa propozimit që ankesa e mbrojtjes të refuzohet si e pabazuar dhe aktgjykimi i shkallës së parë të konfirmohet.
Në seancë, Lutvija është deklaruar sërish i pafajshëm, duke mohuar çdo përfshirje në rastin për të cilin akuzohet.
Pas përfundimit të shqyrtimit të ankesave, kryetari i kolegjit gjyqësor, Ferit Osmani, ka bërë të ditur se palët do të njoftohen për vendimin e Gjykatës së Apelit përmes Gjykatës së shkallës së parë, brenda afatit ligjor.
Lutvija ishte dënuar për herë të parë më 11 nëntor 2025 me 10 vjet burgim. Më 23 qershor 2026, Gjykata e Apelit e anuloi atë aktgjykim dhe e ktheu çështjen në rigjykim. Megjithatë, më 28 korrik 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi sërish me të njëjtin dënim.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Lutvija, në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, gjatë viteve 1998-1999, dyshohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe ka marrë pjesë në arrestimin, rrahjen, maltretimin dhe trajtimin çnjerëzor të civilëve shqiptarë.
Aktakuza përfshin pretendimet për keqtrajtimin e 11 civilëve shqiptarë, ku si pasojë e këtyre veprimeve pretendohet se Ramadan Jakupi kishte humbur jetën, ndërsa të tjerët kishin pësuar lëndime serioze trupore.

Nesër përfundon afati për apelimin e dënimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Arrestohen tre persona për krim të organizuar, sekuestrohet pasuri mbi një milion euro
Protestë në Prishtinë kundër vrasjes së grave, kërkohet që femicidi të bëhet vepër e veçantë penale
Mashtrim në emër të Policisë dhe Agjencisë së Sigurisë Kibernetike, qytetarëve u kërkohet kujdes
Qeveria publikon të arriturat e mandatit 2021–2026, thekson rënien e papunësisë në 10.8%
Një muaj pas aksidentit në Gjakovë, e mitura ndërron jetë
I dënuar për krime lufte, Shaqir Lutvija kërkon shpëtimin nga 10 vjet burgim
Kamberi dhe Mehmeti propozohen në komisionet parlamentare të Kuvendit të Serbisë