Prishtinë 28 Maj 2026 11:25
Ka nisur zyrtarisht këtë të enjte fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, e cila do të zgjasë deri më 7 qershor, në orën 07:00, kur hapen qendrat e votimit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në këtë proces zgjedhor janë certifikuar 21 subjekte politike, ndërsa në garë për ulëse në Kuvend janë gjithsej 902 kandidatë për deputetë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se kohëzgjatja e fushatës është e përcaktuar me ligj dhe do të zgjasë 10 ditë e 7 orë. Ai ka rikujtuar se, bazuar në ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2023, fushata përmbyllet në momentin e hapjes së qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve.
“Për 10 ditë e 7 orë, 21 subjektet politike me 902 kandidatët për deputetë do të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023, fushata zgjedhore përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. Pra, ashtu si në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të vitit 2025, dita e shtunë nuk do të jetë heshtje zgjedhore”, ka thënë Elezi.
Elezi ka sqaruar gjithashtu se trajtimi i ankesave për shkelje eventuale gjatë fushatës nuk është kompetencë e KQZ-së, por e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Megjithatë, sipas tij, KQZ do të ketë rol monitorues gjatë gjithë periudhës së fushatës, përmes angazhimit të monitoruesve në të gjitha komunat e vendit, të cilët do të përcjellin aktivitetet e subjekteve politike dhe do të hartojnë raporte lidhur me organizimin e tubimeve, reklamave dhe materialeve promovuese.
“Sipas ligjit, KQZ nuk i trajton ankesat për shkelje gjatë fushatës zgjedhore, pasi kjo është detyrë e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Megjithatë, KQZ ka rol në monitorimin e organizimit të takimeve, fushatave reklamuese dhe materialeve të tjera promovuese. Përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, do të angazhohen monitorues në të gjitha komunat e Kosovës, të cilët do të përgatisin raporte për aktivitetet e subjekteve politike. Këto raporte do të shfrytëzohen si burim informacioni për evidentimin dhe krahasimin me të dhënat e deklaruara në raportin financiar të fushatës, të cilin e dorëzojnë subjektet politike”, ka thënë Elezi.

Sot nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 7 qershorit
KQZ: Mungesa e shiritit ngjitës nuk e cenon vlefshmërinë e fletëvotimit
KQZ del me disa sqarime sa i përket votimit përmes postës
KQZ lehtëson procedurat e regjistrimit të votuesve mbi 80 vjeç për të votuar përmes ekipeve mobile
105 mijë votues me postë, më 6 qershor nis votimi në përfaqësi diplomatike
KQZ: Afati për regjistrimin e personave me nevoja të veçanta deri më 31 maj
Maqedonci në SHBA takon Daniel Zimmermanin, diskutojnë për sigurinë dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO
Mijëra hektarë po trajtohen kundër rriqrave bartës të virusit të etheve hemorragjike
Serbia po ndërhyn në zgjedhjet në Kosovë përmes propagandës, rrjeteve kriminale dhe Listës Serbe