Prishtinë, 23 maj 2026 16:09
I mbijetuari i Masakrës së Burgut të Dubravës, Sadik Zeqiri, ka rrëfyer tmerrin që përjetuan të burgosurit shqiptarë gjatë majit të vitit 1999, në periudhën kur nisën bombardimet e NATO-s ndaj forcave serbe. Ai ka deklaruar se pas fillimit të bombardimeve, dhuna dhe keqtrajtimet ndaj të burgosurve u intensifikuan çdo ditë.
Zeqiri ka treguar se ishte arrestuar nga forcat serbe pasi iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998. Fillimisht u mbajt në UDB-në e Gjakovës, më pas në Burgun e Pejës dhe në mars të vitit 1999 u transferua në Burgun e Dubravës. Sipas tij, deri në nisjen e bombardimeve situata ishte më e qetë, por gjithçka ndryshoi pas 24 marsit 1999.
“Që nga 25 marsi e deri më 24 maj nuk na është ndalur rrahja dhe terrori”, ka thënë Zeqiri, duke shtuar se të burgosurit përballeshin me mungesë ushqimi, rrahje të vazhdueshme dhe maltretim fizik e psikologjik nga gardianët serbë. Ai ka pohuar se pas thyerjes së dyerve të burgut, në dhunë ndaj të burgosurve morën pjesë edhe të burgosur serbë të armatosur.
Duke kujtuar ditën e masakrës, Zeqiri ka rrëfyer se më 22 maj të vitit 1999 të burgosurit shqiptarë u urdhëruan të rreshtoheshin në fushën sportive të burgut. Në ato momente, sipas tij, filluan të shtënat dhe shumë të burgosur u rrëzuan përtokë pa e kuptuar nga po vinin plumbat.
Ai ka deklaruar se vetëm në fushën sportive u vranë rreth 70 persona, ndërsa vetë mbeti i plagosur. Sipas tij, në Burgun e Dubravës ndodheshin rreth 960 të burgosur shqiptarë dhe viktima kishte në çdo hapësirë të burgut.
Masakra e Burgut të Dubravës konsiderohet një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë. Nga 19 deri më 24 maj 1999, në këtë burg u vranë mbi 100 të burgosur shqiptarë dhe qindra të tjerë u plagosën nga forcat serbe.

Sveçla për vdekjen e policit Altin Kryeziu: Humbëm një pjesëtar shembullor të Policisë së Kosovës
Rritet numri i të huajve që qëndrojnë në Kosovë për të punuar
Kurti: Absurde që ura mbi Ibër të jetë e mbyllur, po koordinohemi me KFOR-in
KEK-u paralajmëron Task-Forcë për sigurinë në punë pas vdekjeve të punëtorëve
Aktakuzë për spiunazh ndaj pilotit kroat dhe partneres së tij serbe, spiunuan për situatën në veri
Gazetari kroat publikon dosjen sekrete të ish-shefit të shërbimit sekret boshnjak mbi rolin e Vuçiqit në “Sarajevo Safari”
Pas pamjeve të dhunës ndaj të miturës, Policia e Kosovës arreston të dyshuarën
Çiklisti kosovar Albion Kastrati renditet në top 20 në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”