Prishtinë, 23 Maj 2026 13:36
Shtetet e Bashkuara presin që plani i Qeverisë në detyrë të Kosovës për themelimin e Xhandarmërisë të jetë “në përputhje me zotimet e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë”.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i cili shtoi se po “monitorojmë njoftimet e fundit sa i përket propozimit për krijimin e një force xhandarmërie në Kosovë”.
Më 19 maj, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë ndërmarrë hapat e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës. Ai tha se është nënshkruar dokumenti për krijimin e një grupi punues që do të bëjë analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e xhandarmërisë.
Sipas tij , kjo forcë do të ketë mision të qartë për ruajtjen e kufijve, integritetit dhe sovranitetit territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave dhe mbrojen e infrastrukturës kritike.
Ndërkaq, nga NATO-ja, e cila që nga viti 1999 ka misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, i thanë Radios Evropa e Lirë se po vëzhgojnë nga afër deklarimet e institucioneve në Kosovë për këtë çështje.
“U përket atyre që të komentojnë në më shumë detaje” për këtë çështje, tha një zyrtar i NATO-s.
KFOR-i, i cili është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë – pas Policisë së Kosovës dhe misionit për Sundim të Ligjit të BE-së, EULEX – veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtari i NATO-s tha se aleanca vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të japë kontribut për siguri të qëndrueshme për të gjithë.
Zyrtari i aleancës ushtarake perëndimore tha po ashtu se Ekipi Këshillues i NATO-s dhe Ndërlidhës (NALT) ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës “në përputhje me mandatin e tij origjinal për mbrojtje civile, përmes ndërtimit të kapaciteteve, edukimit dhe trajnimit”.
“Ne presim që organizatat e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë këtë qasje bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in për të kontribuuar në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha zyrtari i NATO-s në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, nga Ambasada gjermane në Prishtinë thanë për Radion Evropa e Lirë se do të përmbahen nga komentimi për këtë çështje.

Shiroka Pula dhe Jashari diskutojnë për sigurinë në Kosovë
29 kadetë të FSK-së nisin rrugëtimin ushtarak në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë
Protesta vazhdon në Prishtinë, Policia raporton hedhje të mjeteve piroteknike
FSK e gatshme për situata komplekse operacionale dhe taktike
Gecaj: Tre vjet pas Banjskës, Kosova ka forcuar kapacitetet e sigurisë
FSK-ja rrit nivelin profesional, radhëve të saj i bashkohen oficerë të rinj të mjekësisë
Vëlla e motër, viktimat e krimit të sotëm në Gjilan
Dy të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari dorëzohet në Polici
Akuzat për spiunazh, Prokuroria: Shabani dhe Qerimi bashkëpunuan me BIA-n