Prishtinë, 20 maj 2026 07:25
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në gala mbrëmjen e organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, me rastin e njohjes zyrtare nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e ka cilësuar këtë arritje si një moment të rëndësishëm për arsimin e lartë në Kosovë dhe rezultat të një procesi të gjatë reformash, vlerësimesh dhe standardizimi profesional.
Kurti tha se kjo njohje e vendos Kosovën në një pozitë të re në fushën e arsimit të lartë, duke e bërë atë eksportuese dhe garantuese të cilësisë akademike në hapësirën perëndimore demokratike. Ai theksoi se kjo është dëshmi e punës institucionale dhe e ngritjes së standardeve në arsimin e lartë në vend.
Në fjalën e tij, Kurti u shpreh se arsimi i lartë është bazë e zhvillimit të shtetit dhe se cilësia në këtë sektor përfaqëson edhe një formë të rëndësishme të progresit shoqëror dhe shtetëror.
“Përmes kësaj njohjeje, Kosova po flet gjuhën universale të cilësisë, besueshmërisë dhe dijes. Kjo është hyrje në një përgjegjësi të madhe: që universitetet tona duhet të prodhojnë mendje të lira, profesionistë të zotë dhe qytetarë që e bëjnë shtetin më të mirë se dje. Rruga drejt botës së zhvilluar kalon përmes laboratorëve, auditorëve, kërkimit shkencor dhe standardeve që fitojnë besim. Përveç për tregun e punës, arsimi i lartë përgatit, mbi të gjitha, për lirinë e mendimit dhe hulumtimin shkencor”, theksoi ai.
Ai shtoi se njohja nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në SHBA është rezultat i një procesi të gjatë profesional dhe institucional, duke theksuar se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka kaluar vlerësime dhe verifikime të rëndësishme ndërkombëtare.
Sipas tij, ky zhvillim forcon pozicionin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimit të cilësisë në arsim dhe hap rrugë për bashkëpunime të reja në këtë fushë.
Kurti falënderoi Këshillin amerikan për vlerësimin e dhënë, si dhe Agjencinë e Kosovës për Akreditim për punën dhe përkushtimin e treguar në arritjen e këtij standardi ndërkombëtar.

Kurti: Absurde që ura mbi Ibër të jetë e mbyllur, po koordinohemi me KFOR-in
KEK-u paralajmëron Task-Forcë për sigurinë në punë pas vdekjeve të punëtorëve
Aktakuzë për spiunazh ndaj pilotit kroat dhe partneres së tij serbe, spiunuan për situatën në veri
Elshani: Situata në veri stabile por edhe delikate
KEK rikthen në operim njësinë A4
Kosova dhe Shqipëria përfitueset e para nga fondi i ShBA-së
Kosova kalon në çerekfinale të padelit pas fitores ndaj Turqisë në “Taranto 2026”
Liderët e Luginës kërkojnë prani konkrete institucionale të Shqipërisë