Prishtinë, 12 maj 2026 11:38
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave të dyshuar për përfshirje në një skemë të kundërligjshme që lidhet me pajisjen e kandidatëve me patentë shoferë në Pejë. Të akuzuarit dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Manipulim me prova”, “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Dhënie ryshfeti”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza prej 391 faqesh përfshin zyrtarë të Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, pyetës teorikë, ekzaminues praktikë dhe përfaqësues të auto-shkollave, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar për t’u mundësuar kandidatëve marrjen e patentë shoferëve në mënyrë të kundërligjshme.
Në qendër të aktakuzës është A.Sh., koordinator i Njësisë së Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, i cili dyshohet se nga viti 2021 deri në korrik të vitit 2024 nuk ka zbatuar ligjin dhe udhëzimet administrative për organizimin e provimeve. Sipas Prokurorisë, ai ka organizuar testime teorike në rrethana të kundërligjshme dhe ka lejuar pjesëmarrjen e kandidatëve që nuk figuronin në listat zyrtare.
Ndërkaq, R.S. dyshohet se ka ndërmjetësuar dhënien e ryshfetit nga përfaqësues të auto-shkollave, ku shumat për kalimin e kandidatëve në testet teorike dhe praktike varionin nga 300 deri në 1 mijë euro.
Aktakuza përfshin edhe dyshimet ndaj A.Sh., T.Sh. dhe R.S. për manipulim me prova, lidhur me një rast të ndodhur më 17 nëntor 2023 në zyrën e koordinatorit të Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë.
Sipas Prokurorisë, T.Sh. dhe M.Sh., në cilësinë e pyetëseve të pjesës teorike, dyshohet se u kanë ndihmuar kandidatëve gjatë testimeve, duke u treguar përgjigjet e sakta dhe duke lejuar testime edhe pa dokumentacion të kompletuar.
Po ashtu, zyrtari administrativ L.G. dyshohet se ka lejuar paraqitjen e kandidatëve me dosje të pakompletuara dhe nuk ka regjistruar dhjetëra kandidatë në librat përkatës, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur edhe dosje të mbajtura jashtë institucionit.
Në aktakuzë përfshihen edhe ekzaminuesit praktikë B.K. dhe N.D., të cilët dyshohet se kanë zhvilluar testime praktike jashtë orarit zyrtar dhe në kundërshtim me procedurat administrative, duke mundësuar kalimin e kandidatëve pa i përmbushur kriteret ligjore.
Sipas Prokurorisë, nga kjo skemë disa auto-shkolla kanë përfituar avantazh të padrejtë konkurrues në treg, duke regjistruar numër më të madh kandidatësh krahasuar me auto-shkollat tjera.
Përfaqësuesit e auto-shkollave M.I., D.T. dhe M.D. akuzohen për “Dhënie ryshfeti” dhe “Legalizim të përmbajtjes së rreme”, ndërsa B.B. dhe F.Z. për “Legalizim të përmbajtjes së rreme”.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, duke vlerësuar se raste të tilla cenojnë sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Aksident fatal te Stacioni i Autobusëve, humb jetën një këmbësore
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës zhvillojnë aksion në disa lokacione
Sekuestrohen armë zjarri në Zubin Potok, arrestohen dy persona
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
Kurti nga Parisi për Gjykatën Speciale: Të bëhen të gjitha përpjekjet për apel
Policia e Kosovës paralajmëron për mashtrimet online: Kujdes nga vegëzat që kërkojnë të dhënat bankare
Ndalohen rreth 150 mijë lodra për fëmijë me origjinë nga Kina, nuk plotësonin standardet e sigurisë
Mungesa e gjuhës shqipe në Federatën e Gjahtarëve në Maqedoninë e Veriut, kërkohet ndërhyrje institucionale