Prishtinë 9 Maj 2026. 12:34
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri hapjen e konferencës ndërkombëtare “Future Industry Minds 2026“, në Schloss Bensberg në Gjermani, ngjarje që ofron një platformë për shkëmbime profesionale, inovacion dhe dialog të nivelit të lartë për industrinë, digjitalizimin dhe transformimin.
Në edicionin e sivjetmë, Republika e Kosovës është mirëpritur si Shtet Partner i “Future Industry Minds”, me ç’rast përfaqësues të institucioneve dhe kompanive kosovare po marrin pjesë në këtë konferencë dy ditore.
Në fjalën hapëse të konferencës, kryeministri në detyrë Kurti foli për historinë e lidhjes së ngushtë ndërmjet dy vendeve, ndërsa shprehu falënderime e mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Gjermanisë ndaj Kosovës. Në këtë kontekst ai përmendi se në Gjermani jetojnë rreth 600 mijë pjesëtarë të mërgatës nga Kosova, të cilët janë mirë të integruar dhe të suksesshëm, përfshirë doktorë, inxhinierë, ndërmarrës, punëtorë të aftë e të zellshëm etj.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se duke qenë një nga vendet me popullsinë më të re në Evropë, me moshë mesatare rreth 34 vjeç, dhe me shumicën e të rinjve që flasim së paku një gjuhë të huaj, Kosova ka një potencial të madh të fuqisë punëtore.
“Dekada të migrimit kanë krijuar një gjeneratë të kosovarëve që janë rritur si bilingualë, që flasin shqip dhe gjermanisht, të cilët kanë studiuar në Gjermani, janë trajnuar në Gjermani dhe në shumë raste kanë punuar në Gjermani para se të kthehen në shtëpi. Kur ekipi juaj në Prishtinë bashkohet në një video-lidhje me selinë qendrore në Köln ose Frankfurt, nuk ka nevojë për përkthyes. Krejt çfarë duhet është interneti i mirë, dhe jam i lumtur ta them, me një nga mbulueshmëritë më të mira me internet në Evropë, nuk është fare problem”, tha ai.
Në kontekst ekonomik ai nënvizoi se qarkullimi i përgjithshëm ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë aktualisht është 1.8 miliardë euro, duke veçuar sektorin e shërbimeve si komponent kryesore me 1 miliard euro, por edhe remitencat që kalojnë shifrën prej gjysmë miliardi eurosh. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se në përgjithësi kompanitë gjermane kanë investuar rreth 1.5 miliardë euro në Kosovë, 62% prej të cilave vetëm në pesë vjetët e fundit.
Duke folur për kompanitë pjesëmarrëse nga Kosova si partnere serioze dhe duke bërë thirrje për thellim të bashkëpunimit, kryeministri në detyrë Kurti vëmendje të veçantë i kushtoi potencialit të jashtëzakonshëm të Kosovës në sektorin e teknologjisë së informacionit, zhvillimit softuerik, shërbimeve, logjistikës etj.
“Dua të jem specifik. Kompanitë në këtë dhomë tashmë janë dëshmuar për klientë ndërkombëtarë. Ato kanë përmbushur afatet evropiane, kanë punuar me standardet e cilësisë evropiane dhe në shumë raste kanë ndërtuar ekipe që komunikojnë rrjedhshëm në gjermanisht. Ato nuk janë në fillim të rrugëtimit të tyre. Ato janë në një pikë të rrugëtimit ku partneriteti i duhur do të përshpejtonte gjithçka”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

Dogana e Kosovës pjesë e forumit më të lartë vendimmarrës të Organizatës Botërore të Doganave
Gara: Serbia vazhdon të bllokojë zbardhjen e fatit të të zhdukurve, në Batajnicë dyshohet edhe për 58 viktima
Historianët e rinj kundërshtojnë narrativën serbe për Betejën e Kosovës
Tromp, për vendimin final në Hagë: Do të ketë kompromis, dikush do të lirohet e dikush do të dënohet
AUV-i, apel operatorëve ekonomikë dhe qytetarëve: Respektoni rregullat për ruajtjen e ushqimit gjatë verës
Maqedonci: Besimi ndaj FSK-së dëshmi e punës dhe përkushtimit
Kryediplomati kroat: Kroacia vazhdon mbështetjen ndaj Kosovës
Mitrovica funksionalizon shërbimin për ndërhyrje të vogla kirurgjike në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare
Instituti i Shëndetësisë Publike apelon për kujdes shkaku i temperaturave të larta gjatë fundjavës