Prishtinë, 30 prill 2026 13:53
Fondet që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë ndarë për shqiptarët e Luginës së Preshevës po bllokohen nga autoritetet serbe. Kështu ka deklaruar kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, duke paralajmëruar se mosrealizimi i këtyre mjeteve po ndikon drejtpërdrejt në arsim dhe po rrezikon ruajtjen e identitetit kombëtar në Luginë.
“Banka i ka pranuar këto fonde, i kemi nënshkruar, por më pas Qeveria e Serbisë i ka kthyer pas. Qeveria e Serbisë po i bllokon fondet e Kosovës dhe të Shqipërisë që janë destinacion për Luginën e Preshevës”, ka deklaruar Rexhepi.
Ai ka bërë të ditur se KKSH ka njoftuar faktorët ndërkombëtarë, organizatat relevante dhe Komisionerin për Barazi lidhur me bllokimin e transfereve dhe donacioneve, të cilat sipas tij kanë për qëllim zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar në Luginë.
Rexhepi ka theksuar se nuk bëhet fjalë për një çështje teknike, por për një vendim politik që prek drejtpërdrejt mijëra qytetarë.
“Nuk bëhet fjalë për një çështje teknike. Bëhet fjalë për bllokimin e fondeve nga Qeveria e Kosovës që prekin drejtpërdrejt 3,650 nxënës, 94 fëmijë pa prind, 957 bujq, mbi 756 studentë, 139 organizata joqeveritare dhe mijëra qytetarë që varen nga këto programe”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky veprim nuk paraqet vetëm bllokim fondesh, por “bllokim të zhvillimit, arsimit dhe mbështetjes për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe Sanxhakut”.
Rexhepi ka akuzuar Qeverinë e Serbisë dhe ministrin për Pakica, Demo Berisha që po veprojnë përmes bankave, duke i bllokuar fondet.
“Ky është diskriminim i hapur dhe si i tillë duhet të trajtohet nga të gjithë, pa përjashtim. Ne nuk do të ndalemi. Do të vazhdojmë me çdo mjet demokratik, institucional dhe ndërkombëtar”, ka përfunduar Rexhepi.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 03.04.2026, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Luginën e Preshevës. Kryeministri Albin Kurti ka hënë se ky vendim përfaqëson angazhimin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Ky vendim përfaqëson angazhimin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes një pakete konkrete që adreson nevojat jetike të qytetarëve atje. Ky nuk është vetëm një vendim, por një përgjegjësi shtetërore”, ka thënë Kurt.
Qeveria kishte planifikuar që për këtë vit të ndante 4 milionë euro për Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun.

Haxhiu kërkon dënimin e retorikës serbe
Kandiç i kërkon Serbisë të përballet me krimet e luftës
Avokati Ivan Niniq kërkon rishikim të punës së Prokurorisë Publike për krim të organizuar në rastin “Panda” të vitit 1998
Serbia propagandon për “sulm ndaj serbëve”, Kosova e vendosur në zbatim të ligjit
Kongresisti Wilson i kërkon Serbisë t’i ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Rusia, Kina e Irani
Konstituimi i Kuvendit, Haxhiu fton në takim kryetarët e partive
Aksidenti i rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”, shtatë persona të lënduar
12.230 të vrarë në luftën e Kosovës, Instituti fton qytetarët të plotësojnë listën e viktimave
Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për krime lufte në Zubin-Potok