Prishtinë, 03.04.2026 21:40
KOHA ka siguruar draftligjin për çmime tavan, i cili parasheh themelimin e Autoritetit të Pavarur për Stabilitetin e Çmimeve. Dokumenti liston 16 produkte themelore dhe parasheh gjobë deri në 20 mijë euro për shkelësit
Drafti i ligjit për çmime tavan, të cilin e ka siguruar KOHA, parasheh themelimin e Autoritetit të Pavarur për Stabilitetin e Çmimeve, që do të ndërhyjë në situata kur ka destabilizim të tregut.
Ky është ndryshimi kryesor që i është bërë ligjit, pasi Gjykata Kushtetuese pati konstatuar se ekzekutivi nuk mund të ndërhyjë në çmime.
“Autoriteti i Pavarur për Stabilitetin e Çmimeve është organ i pavarur rregullator, i themeluar me këtë ligj për monitorimin e tregut dhe për inicimin dhe vendosjen e masave të përkohshme, rregullatorë për stabilizimin e çmimeve në rrethana të veçanta të destabilizimit të tregut, në bazë të analizës së tregut dhe parimit të proporcionalitetit, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe të konsumatorëve”, thuhet në draftligjin për çmimin tavan.
Ligji i kaluar parashihte themelimin e një komisioni, por i cili u raporton Ministrisë së Tregtisë dhe Zyrës së Kryeministrit.
Për dallim nga ai, Autoriteti do të themelohet me ligj nga Kuvendi dhe do të udhëhiqet nga Bordi në përbërje prej 5 anëtarësh.
Drafti liston 16 produkte themelore dhe se nuk mund të zgjerojë listë përtej tyre.
Drithërat, mielli, buka, orizi, makaronat, vaji ushqimor, qumështi dhe produktet e qumështit, uji, pemët dhe perimet, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi, sheqeri, ushqimet bazë për fëmijë, produktet e higjienës personale dhe lëndët djegëse janë produktet për të cilat Autoriteti mund të marrë masa.
Drafti parasheh 7 masa mbrojtëse për furnizimin me produkte themelore.
Aty parashihet caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë, caktimi i çmimit maksimal, kufizimi i sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar, detyrimi i operatorëve ekonomikë për të ruajtur pjesën e caktuar të stokut të produktit e të tjera.
Për mosrespektimin e vendimeve të Autoritetit parashihen edhe gjoba.
“Në rast të moszbatimit të vendimeve të autoritetit, subjekti dënohet me gjobë si në vijim: Prej pesë mijë (5,000) deri në njëzet mijë (20,000) euro si person juridik; Prej një mijë (1,000) deri në pesë mijë (5,000) euro si person fizik që ushtron biznes individual. Prej pesëqind (500) deri në dy mijë (2,000) euro si person përgjegjës i personit juridik”, janë disa nga të dhënat e draftligjit për çmimin tavan.
Procedimi i Ligjit të ri për çmime tavan është në mesin e 5 vendimeve të para që pati premtuar kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore.

Sheholli mbante shënime edhe për infrastrukturën kritike të Kosovës, përfshirë Ujmanin
Aktakuza e PSRK-së, si tentoi destabilizimin e Kosovës Fatmir Sheholli
Plani për ndërhyrje në zgjedhje, zbulohen bisedat e Fatmir Shehollit me drejtorin e BIA-s
BE-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian
Gjykata cakton më 15 shtator seancën për 53 të akuzuarit për krime lufte
Sveçla pret në takim shefin e ri të EULEX-it, flasin për zbulimin e varrezave masive në Zubin Potok
Kamberi kritikon Vuçiqin për gjuhën antishqiptare: “A është fyerja ndaj shqiptarëve parakusht për punësim në BIA?”
Hapi i radhës drejt funksionalizimit të Fabrikës së Municioneve në Gjakovë