Mitrovicë e Veriut, 24 mars 2026 15:15
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar sot në veriun e Mitrovicës, ku përkujtoi 27-vjetorin e vrasjes së profesorit, poetit dhe veprimtarit të njohur, Latif Berisha. Me këtë rast, ai njoftoi se shtëpia e Berishës do të shndërrohet në muze, në nderim të jetës dhe veprës së tij.
“Sot, 27 vite më vonë, shtëpia e tij në veriun e Mitrovicës destinohet për muze, në nderim të jetës, veprës dhe qëndresës së tij, si dhe të gjithë qytetarëve të kësaj zone”, ka theksuar Kurti.
Latif Berisha u vra 27 vite më parë nga policia serbe, në oborrin e shtëpisë së tij në veriun e Mitrovicës. Ai konsiderohet si një ndër figurat e rëndësishme të arsimit, kulturës dhe rezistencës kombëtare, duke lënë gjurmë të thella në jetën intelektuale shqiptare.
Për dekada me radhë, Berisha kontribuoi në arsimin dhe letërsinë shqipe si profesor universitar, studiues dhe autor tekstesh shkollore, duke edukuar breza të tërë dhe duke ndihmuar në ruajtjen e identitetit kombëtar në kohë të vështira. Edhe pas largimit të dhunshëm nga puna gjatë viteve ’90, ai vazhdoi të mbetet aktiv në shërbim të arsimit dhe çështjes kombëtare.
“Shtëpia e tij do të shërbejë si dëshmi e historisë dhe kujtesës sonë kolektive, jo vetëm për figurën e tij, por edhe për të gjithë qytetarët që u vranë në këtë pjesë të vendit dhe nuk arritën ta jetojnë lirinë”, është shprehur më tej Kurti.
Berisha kishte mbajtur edhe funksionin e kryetarit të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë. Përvjetori i vrasjes së tij rikthen në vëmendje sakrificat e intelektualëve dhe qytetarëve shqiptarë gjatë periudhës së represionit, ndërsa nisma për muze synon të ruajë kujtesën historike dhe të nderojë kontributin e tij dhe të të tjerëve në rrugën drejt lirisë.

Akuzat për spiunazh, Prokuroria: Shabani dhe Qerimi bashkëpunuan me BIA-n
Jagxhiu: Internet falas në 43 lokacione publike në 33 komuna të Kosovës
Murati: Kosova ul kufirin e pagesave me para të gatshme për të parandaluar financimet e paligjshme
Kosova dhe Maqedonia e Veriut synojnë thellimin e bashkëpunimit në bujqësi dhe siguri ushqimore
Në Leposaviq gjenden armë e pajisje ushtarake
Gjykimi për krime lufte, dëshmitarja rrëfen keqtrajtimin gjatë luftës
Vëlla e motër, viktimat e krimit të sotëm në Gjilan
Shiroka Pula dhe Jashari diskutojnë për sigurinë në Kosovë
Dy të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari dorëzohet në Polici