Prishtinë 18 Mars 2026 8:48
Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut miratoi më 17.03.2026 ndryshimet dhe plotësimet në rregulloren për shfrytëzimin e Palestrës Sportive.
Me këtë rregullore përcaktohet mënyra dhe kushtet e përdorimit të Palestrës Sportive si aktivitete me interes publik dhe për nevojat e komunës, programe edukative për fëmijë, ngjarje të ndryshme kulturore e aktivitete rekreative.
Me 12 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim u miratua kjo rregullore.
Kryetari i Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozhac, potencoi se vendimi i vitit 2023 i marrë nga ish- kuvendi do të zbatohet, por është konstatuar nevoja për ndryshime dhe plotësime të rregullores.
“Vendimi i vitit 2023 do të zbatohet rregullisht edhe në vitin 2026, në përputhje me mënyrën dhe suksesin e përdorimit të Këshillit të Sportit. Pas konsultimeve me ekipin juridik dhe drejtorin për sport dhe rini, është konstatuar se është e nevojshme të merret vendim për ndryshimin dhe plotësimin e kësaj rregulloreje”- theksoi Zaporozhac.
Nënkryetarja e Komunës, Adrijana Hoxhiq, listoi qëllimet për të cilat do të përdoret Palestra.
“Ndryshimet kanë për qëllim që salla e kuvendit të vihet më shumë në funksion të fëmijëve dhe të rinjve, si dhe që gjithçka të bëhet e qasshme për qytetarët në përputhje me parimin e interesit publik”- tha Hoxhiq.
Kundërshtime për ndryshim të rregullores kishte Aida Ferati-Doli, zëvendëskryesuese e Kuvendit Komunal.
“Është shumë i cekët dhe shumë i mangët për dallim nga rregullorja tjetër e cila ka qenë e votuar vitin e kaluar. Rregullorja paraprake ka qenë në përputhje me ligjet e me oraret”- tha ajo.
Krejtësisht kundër u shpreh Sinisha Llaziq, asamblist nga Lista Serbe, i cili tha se në të kaluarën Palestra nuk u shfrytëzua nga të rinjtë.
“Askush tre vite nuk ka hyrë në Palestrën Sportive. Jam i lumtur që kryetari e nëkryetarja kanë marrë vendim për shfrytëzim të Palestrës. Palestra ka qenë me pluhur, e papastër ku disa punëtorë kanë luajtur aty. Rinia nuk e kanë shfrytëzuar atë palestër, kanë luajtur në rrugë. E dimë çka sjell dimri e vera dhe duhet ta kemi këtë objekt”- potencoi Llaziq.
Te pika “të ndryshme” u diskutua problemi me mbeturina, punësimet, e sfida me qentë endacakë.
Kujtojmë se tentimin e disa personave në Mitrovicë të Veriut për largimin e ulëseve me ngjyrat që simbolizojnë qytetin e Mitrovicës dhe vendosjen e atyre me ngjyrat e flamurit të Serbisë në Palestrën e Sporteve e kishte ndaluar Policia e Kosovës pasditën e 16 dhjetorit 2025.
KALLXO.com po qëndronte jashtë objektit pasi që nuk ishte lejuar nga forcat e rendit të merrte pamje nga brenda.
Gjithsesi, në pamjet që kishte siguruar KALLXO.com shiheshin karriget e kaltra që u tentuan të vendoseshin e brenda po qëndronte zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri, kishte thënë se Policia ka pranuar informacion se po zhvillohen punime në sallën e sporteve.
“Ne kemi shkuar aty për t’u njoftuar me situatën dhe çdo gjë është sqaruar dhe nuk ka ndonjë problem për ta theksuar”- kishte thënë Elshani

Shtatë lokale mbyllen në veri të Kosovës pas inspektimeve sanitare
Mbyllen disa lokale në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan pas aksionit të inspektorateve
Rruga Korishë–Kabash në Prizren, investim prej 4.1 milionë eurosh
Ura në Graçanicë për 48,966 euro. Oferta është pothuajse identike me buxhetin e planifikuar nga Lista Serbe
Komuna e Mitrovicës së Veriut pa premtime dhe pa standarde të qarta llogaridhënie
Kryesuesi nga radhët e Listës Serbe ndërpret fjalën e asamblistes shqiptare
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Demokratët marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan, goditje politike për Trumpin
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës